Engel u bën thirrje politikanëve në Kosovë të heqin dorë nga dhuna

Washington, 25 shkurt - Një ditë përpara seancës në parlament për zgjedhjen e presidentit të ri, ligjvënësi amerikan Eliot Engel i bën thirrje politikanëve në Kosovë të heqin dorë nga dhuna.
Përdorimi i dhunës e bën më të vështirë për Shtetet e Bashkuara që ta mbështesin shtetin e ri për tu anëtarësuar në institucionet më të rëndësishme ndërkombëtare.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës Engel tha se ai nuk mban anë në argumentet mes palëve dhe u bëri thirrje udhëheqësve të Kosovës të kuptojnë se asnjë individ i veçantë nuk është më i rëndësishëm se vendi.
\"Mesazhi im do të ishte ky: shpresoj që ky votim të bëhet me drejtësi; shpresoj që cilido që e humbet votën nuk do ta kotestojë atë përmes dhunës. Shpresoj që procesi të funksionojë. Shikoni: Kosova ka një kushtetutë, ka një Deklaratë të Pavarësisë, që unë e kam edhe në mur. Ajo duhet të sillet si vend demokratik. Nëse atje ka dhunë, atëherë për të gjitha palët do të jetë keq, siç thotë edhe shprehja që ne kemi në anglisht: A plague on both your houses (mortaja në shtëpinë time është edhe në tënden).\"
\"Pra, të gjithë duhet të jenë përgjegjës, sepse askush nuk do të ndihmojë, nëse populli i Kosovës nuk ndihmon veten. Unë ndihem zemërthyer, sepse unë besoj me gjithë shpirt që Kosova do të jetë një ditë anëtare e Bashkimit Evropian, e NATO-s dhe e Kombeve të Bashkuara. Shtetet e Bashkuara gjithnjë do ta mbështesin Kosovën. Unë gjithnjë do ta mbështes Kosovën. Por puna jonë bëhet më e vështirë nëse njerëzit përdorin dhunë. Kaq mund të them\", thekson Engel.
Ligjvënësi nga New Yorku prej kohe është një ndër mbështetësit më të fortë të Kosovës në Kongresin amerikan.