12 Janar 2025

Engel: Serbia “de facto” e ka njohur Kosovën

Washington , 15 maj - Nuk do të ketë ndarje të Kosovës, shkëputje të ndonjë pjese të saj dhe ky është një parim shumë i rëndësishëm”, thotë Eliot Engel, ligjvënës në Dhomën e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, në intervistën dhënë Radios Evropa e Lirë.

Duke folur rreth Marrëveshjes së arritur më 19 prill për normalizimin e marrëdhënieve, vonesat për zbatimin e saj, Engel mendon se procesi i normalizimit nuk është në rrezik, duke theksuar se të dyja palët janë të përcaktuara për një marrëveshje, gjë që e bën dhe ta zbatojnë atë.

Megjithatë, Engel mendon se kjo është “një situatë serioze” dhe se palët kanë dyshime nëse kjo është gjë e mirë. Por, ai thotë se është një hap i domosdoshëm që duhet të ndërmerret dhe beson se do të funksionojë. “Bashkimi Evropian natyrisht është aty dhe Shtetet Bashkuara do të jenë gjithnjë në krah të popullit të Kosovës në çdo hap”.

Në vërejtjen se po vazhdojnë debatet nëse marrëveshja po krijon mundësi për krijimin e një mini-shteti apo një Republika Serpska në pjesën veriore të Kosovës, Engel e mohon këtë, duke thënë se këto janë negociata mjaft të vështira, se ka opinione nga më të ndryshmet, kishte armiqësi për shumë vjet. Por megjithatë ai mendon se “kjo marrëveshje është e domosdoshme”, duke shtuar se “në një marrëveshje asnjë palë nuk merr çdo gjë që dëshiron”.

“Marrëveshja është kompromis dhe kompromisi nënkupton se njëra palë merr diçka nga ajo që dëshiron dhe pala tjetër diçka nga ajo që dëshiron”.

Sipas Engelit, në këtë marrëveshje Kosova ka përfituar, sepse për herë të parë, Serbia “de facto” e ka njohur Kosovën dhe qeveria e Prishtinës do të shtrijë kontrollin në tërë Kosovën. “Nuk do të ketë ndarje të Kosovës, shkëputje të ndonjë pjese të saj dhe ky është një parim shumë i rëndësishëm”.

Ai thotë se qeveria e Kosovës është përgjegjëse për tërë Kosovën. “Në shkëmbim të kësaj, serbët në veriun e Mitrovicës do të kenë një shkallë të autonomisë. Mendoj se ky është një pazar i mirë, sepse mendoj që autonomia nuk është gjëja më e keqe në botë”.

“Nëse kjo është autonomi e vërtetë dhe BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara dhe të tjerët e njohin faktin që Kosova është një dhe jo e ndarë, jo e copëtuar, në shkëmbim të një forme të autonomisë për serbët, mendoj se është një marrëveshje shumë e mirë për Kosovën dhe qeverinë në Prishtinë”, tha kongresmeni Engel.

Sa përket idesë së kongresmenit nga Dhoma e Përfaqësuesve, Dana Rohrabacher , për shkëmbimin e territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si rrugë për zgjidhjen e konflikteve, Engel tha se nuk pajtohet me këtë ide të kolegut të tij, ndonëse e vlerëson si njeri “shumë të arsyeshëm” dhe se e “ka në zemër interesin më të mirë të Kosovës”.

“Por, unë nuk pajtohem se ndarja e Kosovës është rruga që duhet ndjekur. Kosova është në Ballkan, ku nuk e dini ku është fundi. Nëse lëvizni kufijtë në Ballkan, nëse ndani Kosovën, çfarë do të ndodhë kur Republika Serpska dëshiron të jetë pjesë e Serbisë, çfarë ndodhë kur pjesë të Maqedonisë duan të ndryshojnë, çfarë do të ndodhë me Bosnjën? Nuk do të kishte fund dhe kam frikë se nuk do të kishte zgjidhje edhe për njëqind vjet të tjera”, theksoi Engel, duke shtuar se “nëse filloni të lëvizni kufijtë, do të jetë një biletë e sigurt drejt konflikteve të së kaluarës”.

/REL/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)