Engel: Nuk kam parë vend si Kosova që i do dhe i vlerëson amerikanët
Washington, 11 maj - Kryetari i Komitetit të Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhënie me Jashtë, Eliot Engel, ka thënë se administrate aktuale amerikane duket se nuk e ka përkushtimin që kishin për Kosovën administratat e kaluara amerikane.
“Zgjedhjet sapo janë mbajtur në Kosovë dhe Shtetet e Bashkuara tani duket se janë duke u larguar nga përkushtimi dypartiak që kemi pasur në administratat e kaluara, duke nisur me Clintonin, Bushin dhe të tjerët”, është shprehur ai.
Engel ka rikujtuar edhe një herë mirënjohjen dhe falënderimin që kanë shprehur shqiptarët për popullin amerikan. Ai ka theksuar se SHBA, në njëfarë mënyre, ia kanë kthyer shpinën popullit të Kosovës.
“Pavarësisht sa shumë mund të udhëtoni, ju nuk mund të gjeni kurrë një vend që i përshëndet amerikanët me aq gëzim, sikurse kosovarët. Unë kurrë nuk kam parë ndonjë vend që i do dhe i vlerëson amerikanët dhe është aq falënderues për atë që kemi bërë më 1999 për të parandaluar gjenocidin që po ndodhte para syve të Evropës. Andaj më thyhet zemra që, në njëfarë mënyre ua kemi kthyer shpinën atyre njerëzve”, është shprehur Engel.
Ndërkaq, ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, ka thënë se tani Shtetet e Bashkuara nuk janë duke ndihmuar sikur dikur në zgjidhjen e mospajtimeve mes Kosovës dhe Serbisë.
“Çfarë ka ndodhur, fatkeqësisht, është se tani ka pyetje rreth kufijve dhe rreth asaj se Kosova ka qenë pjesë e Serbisë. Mirëpo, mendoj se në shumë mënyra, më duhet ta them këtë me keqardhje, Shtetet e Bashkuara nuk janë duke ndihmuar për zgjidhjen e kësaj çështjeje me (presidentin serb, Aleksandar) Vuçiqin dhe me atë që serbët kanë tentuar ta zhbëjnë, e që ka pasur për pasojë një spastrim etnik, një gjenocid, të cilin e ka dënuar komuniteti ndërkombëtar”, ka deklaruar Albright, transmeton Radio Evropa e Lirë.
Zonja Albright, siç duket, u është referuar diskutimeve për ndryshim kufijsh e për shkëmbim territoresh mes Kosovës e Serbisë.
Engel dhe zonja Albright i kanë bërë këto komente gjatë një debati të organizuar nga Komiteti për Marrëdhënie me Jashtë i Dhomës së Përfaqësuesve, të cilin e kryeson Eliot Engel.
Në këtë debat, I cili është zhvilluar përmes videokonferencës. është diskutuar për autoritarizmin, dezinformimin dhe qeverisjen gjatë krizës së pandemisë së koronavirusit.
Në debat kanë marrë pjesë edhe Derek Mitchell, President i Institutit Nacinal Demokratik (NDI) dhe Daniel Twining, President i Institutit Ndërkombëtar Republikan.