27 Dhjetor 2024

Engel: Marrja në kontroll e dy pikave doganore vendim i drejtë

Washington, 3 gusht - Kongresmeni amerikan Eliot Engel, tha se veprimi i kryeministrit Hashim Thaçi për marrjen në kontroll të pikave doganore në veriun e Kosovës ishte një vendim i drejtë. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Engel i bëri thirrje Beogradit që të njohë pavarësinë e Kosovës.

Kongresmeni Eliot Engel tha se urdhëri i Kryeministrit Thaçi për të marrë në kontroll dy pikat doganore në veri të Kosovës ishte një vendim i drejtë:

\"Nuk është e drejtë që mallrat e Serbisë të lejohen të hyjnë në Kosovë ndërsa mallrat e Kosovës të ndalohen plotësisht në Serbi. Çdo udhëheqës i një vendi me sovranitet, siç është Kosova, do të vepronte drejt nëse do të kishte marrë këto masa. Kjo ndihmon për sundimin e ligjit dhe ndihmon për sqarimin e gjërave. Janë zhvilluar bisedime mes kosovarëve dhe serbëve dhe ka patur marrëveshje për të lejuar mallrat nga Kosova të hyjnë në Serbi me etiketat ku shkruhet Kosovë dhe serbët në Beograd nuk e pranuan këtë kompromis.\"

Zoti Engel thotë se Shtetet e Bashkuara, ashtu si edhe shumica e vendeve evropiane e ndjejnë se kjo ishte e vetmja gjë që mund të ishte bërë.

Misioni evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX, ka shprehur kundërshtime lidhur me veprimin e qeverisë së Kosovës për marrjen nën kontroll të pikave doganore në veri. Megjithëse zoti Engel mendon se tani e tutje, gjërat duhet të bëhet në bashkërendim me aktorët ndërkombëtarë në Kosovë, ai thotë se Kryeministri Thaçi nuk ka pse të marrë miratimin e të gjithëve për veprimet që ndërmerr.

\"Mendoj se kryeministri i Kosovës duhet të bëjë atë që është në interes të vendit të tij. Ai nuk ka pse të kërkojë miratim nga të gjithë para se të bëjë një veprim. Po t’i shikojmë gjërat në mënyrë të arsyeshme, do të thoshim se Kosova u ka ofruar shumë kompromise serbëve dhe serbët i kanë hedhur poshtë të gjitha.\"- tha kongresmeni amerikan.

Sipas zotit Engel, ajo që kërkon Serbia është një ndarje e Kosovës por ai thotë se nëse fillon ndarja atëhere nuk dihet se cili do të jetë fundi.

\"Unë mendoj se territoret duhet të mbeten të paprekura dhe se Prishtina duhet të jetë në kontroll të të gjithë Kosovës, pa përjashtuar veriun.\"

Zoti Engel beson se bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit duhet të vazhdojnë.

\"Mendoj se bisedimet janë gjithnjë të dobishme. Bisedimet duhet të vazhdojnë. E di se qeveria e Prishtinës është e interesuar për vazhdimin e tyre.\"

Ligjvënësi amerikan thotë se ka ardhur koha që udhëheqja serbe në Beograd të pranojë se Kosova është një vend i pavarur.

\"Sa më shpejt që ajo ta bëjë këtë, aq më mirë do të jetë. Shpresoj se të gjithë do të jenë një ditë pjesë e Bashkimit Evropian, duke përfshirë Kosovën dhe Serbinë. Në atë kohë, kufijtë nuk do të jenë më të rëndësishëm.\"

Sipas kongresmenit nga Nju Jorku, serbët duhet të shikojnë drejt së ardhmes dhe jo drejt së kaluarës.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)