Engel: Kosovarët të jenë krenarë për zgjedhjet
Washington, 9 qershor - Kongresisti amerikan, Eliot Engel, ka thënë se qytetarët e Kosovës kanë dalë në votime për të zgjedhur udhëheqësit e tyre, për të shtruar rrugën përpara për vendin e tyre dhe për ti treguar botës përparimin e një demokracie të re.
Ata duhet të jenë krenarë për atë që kanë bërë dhe unë u dërgoj urimet e mia të ngrohta, është shprehur Engel.
Ai po ashtu ka thënë se për dy vjet me radhë, Kosova ka mbajtur zgjedhje të hapura, të lira dhe transparente, të cilat kanë përmbushur standardet ndërkombëtare.
Në terren, ka shtuar Engel, autoritetet zgjedhore të Kosovës, Policia e Kosovës, organizatat ndërkombëtare dhe vetë ambasada jonë kanë bërë punë të madhe për të siguruar që të gjithë qytetarët e Kosovës të mund të hedhin votat e tyre në një mjedis të sigurt.
Në ditët e ardhshme, mbeten shumë punë për të vazhduar normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë dhe për të avancuar përparimin e Kosovës drejt integrimit euro-atlantik. Njerëzit e Shteteve të Bashkuara qëndrojnë krah për krah me popullin e Kosovës dhe unë do të punoj me qeverinë e re, kur të formohet, për ta ndihmuar që të përballojë sfidat, ka thënë kongresisti Engel në një deklaratë të shkruar.(Rel)