Engel kërkon gjetjen e vrasësve të vëllezërve Bytyqi
Washington, 26 prill - Gjatë një seance diskutuese për Kosovën dhe Serbinë, të organizuar nga një nënkomision i Dhomës së Përfaqësuesve i Kongresit Amerikan, kongresisti Eliot Engel para përfaqësuesit të Departamentit të Shtetit ngriti çështjen e vrasjes së vëllezërve Bytyqi, qytetarë amerikanë, që u vranë në Serbi më 1999.
Jam thellësisht i shqetësuar që deri sot asnjë individë nuk është shpallur fajtorë për vrasjen brutale të tre qytetarëve amerikanë, vëllezërve Bytyqi, tha kongresisti Engel.
A mund të më thoni se çfarë trysnie ka bërë Departamenti i Shtetit mbi Serbinë në mënyrë që vrasësit të sillen para drejtësisë, e pyeti Engel drejtorin për Çështjet e Evropës Jugore dhe Qendrore në Departamentin e Shtetit, Jonathan Moore. Zyrtari i qeverisë amerikane tha se për këtë rast ka pasur angazhime në nivele të larta dypalëshe përfshirë edhe vizitën e Sekretares Clinton në Beograd vjeshtën që shkoi.
Nuk ka pasur ende arrestime dhe Serbia është në dijeni se kjo çështje qëndron e lartë në agjendën tonë dypalëshe. Për fat të keq ende nuk kemi marrë asnjë informacion nga qeveria e Serbisë, tha Moore.
Këta janë tre shtetas amerikane dhe ne kërkojmë përgjigje për qytetarët tanë, theksoi kongresisti Eliot Engel.
Vëllezërit Agron, Yll dhe Mehmet Bytyqi pjesëtarë të UÇK dhe shtetas amerikanë me prejardhje nga një fshat i Therandës, janë arrestuar nga forcat serbe derisa po e ndihmonin një familje rome në kufirin Kosovë - Serbi dhe më vonë janë ekzekutuar në verën e vitit 1999 pa gjyq në Serbi. Serbia deri sot nuk i ka zbuluar vrasësit e tyre.