10 Janar 2025

Ellis: Ekziston rreziku nga ndarja e Kosovës

Prishtinë, 3 gusht - Me gjendjen e tanishme në veri, ekziston rrezik i theksuar për ndarjen e Kosovës, ka deklaruar në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Mark Ellis, analist ndërkombëtar, njëherësh, drejtor i Asociacionit Ndërkombëtar të Avokatëve.

“Fakt është se kur shikoni shumicën e serbëve në pjesën veriore, ata thjesht refuzojnë qeverisjen e Prishtinës. Ata qeverisin vetë...Mendoj se kjo është problematike dhe nuk është një përqindje e vogël, por një masë dominuese e serbëve në veri”, tha Ellis.

Sipas mendimit të këtij analisti do të duhen gjenerata për t’i zgjidhur tërësisht problemet në veri. “Nuk mendoj se ndarja është hequr nga tryeza. Unë do të preferoja që të ketë një unitet social, por historia e rajonit sugjeron se kjo është vështirë e arritshme”.

I pyetur se si të shmanget një gjë e tillë, Ellis ka thënë se ky është një proces shumë i vështirë për t’u tejkaluar, një histori shumë e vështirë për t’u tejkaluar.

“Merr kohë dhe investime. Duhet bërë hapa të vogël në përpjekje për të gjetur mënyrat për të bashkëpunuar. Është një beteje e vështirë dhe e madhe për shkak të ndasive brenda vendit dhe komuniteteve. Nëse më pyetni se a do të ketë sukses në plan afatshkurtër do të them jo”.

“Por, megjithatë, unë mbetem optimist dhe gjithnjë besoj në aftësinë e njerëzve që eventualisht të gjejnë format për t’u bashkuar duke u bazuar në respekt dhe humanizëm. Historia e rajonit tregon se ky nuk do të jetë një proces i lehtë, por mendoj ia vlen përpjekja”, ka thënë ai.

Ellis është i bindur qe Kosova do të vazhdojë të ketë mbështetjen ndërkombëtare mirëpo shton se ajo duhet t’i ndihmojë vetes duke treguar se po adapton dhe përqafon parimet demokratike dhe t’i tregojë botës se mund të jetë anëtare produktive dhe aktive e komunitetit ndërkombëtar.

I pyetur nëse Kosova po e ndihmon veten, Ellis ka thënë se ka probleme dhe kjo mund të shihet në rolin e gjyqësorit, që është si udhëzues në lëvizjen drejt një shoqërie më demokratike, më të sigurt, të një ambienti të orientuar nga tregu.

“Kosova po ecën në tranzicionin e njëjtë sikurse shtetet tjera në rajon. Mendoj se ka disa shenja shpresëdhënëse në lidhje me këtë, por ka probleme tepër të mëdha në Kosovë sa i përket korrupsionit, ndërhyrjeve politike në të gjitha nivelet”, tha ai.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)