Eksod masiv i fuqisë punëtore nga Serbia
Beograd, 15 mars - Qeveria serbe planifikon një komision ekspertësh kundër eksodit masiv të fuqisë punëtore nga vendi.
"I gjithë turni i urgjencës së këtushme ka qenë në kursin e gjermanishtes. Tani të gjithë janë në Gjermani", thotë Filipi, që drejton një shkollë të gjuhëve të huaja. Para 10 vitesh, kur ai e hapi këtë shkollë ishte anglishtja gjuha më e kërkuar, tani gjermanishtja.
Leskovci është një qytet i varfër, një qytet, për të cilin thuhet, se përgatit mishin më të mirë në zgarë në Ballkan.
Por kohët e lavdishme, si qytet i tekstilit dhe industrisë farmaceutike kanë kohë që kanë marrë fund.
Askush nuk e quan më këtë qytet "Mançesteri serb", dikur një komunë me 100.000 banorë, sot aty jetojnë shumë më pak se 70.000 vetë.
Në Serbi rroga mesatare është nën 400 euro. Papunësia në vend sipas shifrave zyrtare është 12%.
Disa ekspertë thonë, nëse nuk do të kishte emigracion, papunësia do të rritej në 20%. Mes të rinjve papunësia kap shifrën 30%.
Kështu largimi masiv i trurit në drejtim të perëndimit është për qeverinë serbe bekim dhe mallkim.
Ajo mund të lëvdohet, se ka ulur papunësinë, por realiteti në terren është i hidhur për shkak të emigracionit.
Ministria e Punës ka bërë të ditur së fundmi themelimin e një komisioni ekspertësh për të gjetur rrugë për uljen e emigracionit masiv.