Ekonomia mund të dëmtojë shanset e presidentit Trump për rizgjedhje
Washington, 2 shtator - Rruga e Presidentit Donald Trump drejt rizgjedhjes vitin e ardhshëm, duket se po bëhet më e ndërlikuar.
Trump vazhdon të flasë për një ekonomi të fortë, megjithë paralajmërimet e shumë ekonomistëve se Shtetet e Bashkuara mund të jenë duke shkuar drejt një recesioni në vitin 2020.
Ndërkohë presidentit tani i duhet të përballet me një sfidë nga brenda partisë së tij në garën presidenciale nga drejtuesi i një emisioni konservator radioje dhe ish-kongresmeni, Joe Walsh.
Në takimin e nivelit të lartë të grupit G-7 në Francë, Presidenti Donald Trump ishte i vetëm në qëndrimet e tij ndaj tregëtisë, Rusisë dhe ndryshimeve të klimës.
Trump gjithashtu mbrojti atë që disa e shohin si qasje kaotike ndaj tregëtisë me Kinën:
“Është thjesht mënyra se si negocioj unë. Më ka shërbyer mirë ndër vite dhe po i shërben edhe vendit. Duhej të ishte bërë nga njerëz të tjerë. Duhej të ishte bërë nga Bush. Duhej të ishte bërë nga Klinton. Nga Bushi i dytë. Dhe unë po veproj kështu. Unë jam duke e bërë atë."
Zoti Trump shpesh flet për ekonominë e fortë amerikane gjatë tubimeve të fushatës, siç bëri kohët e fundit në shtetin New Hampshire.
"Edhe pse ishim objekt i një gjuetie dhe shumë vështirësi të tjera, ne po i japim vendit me shpejtësi drejtimin e duhur”, tha ai.
Por lufta tregtare me Kinën po sjell pasoja të konsiderueshme dhe disa ekonomistë paralajmërojnë për një recesion vitin e ardhshëm që mund t’i dëmtojë shanset e rizgjedhjes së presidentit Trump.
Rivalët demokratë të tij, kanë vënë në shënjestër politikat e tij ekonomike, përfshirë kandidatin kryesor Joe Biden.
"Ka të bëjë më pak me bazat e ekonomisë sesa me politikën tregëtare, një politikë të jashtme dhe një politikë të brendshme që i bën njerëzit në bursë të pyesin se sa e qëndrueshme është kjo administratë," thotë zoti Biden.
Presidenti Trump gjithashtu ka një rival të ri nga brenda partisë së tij – drejtuesi konservator i një emisioni radioje dhe ish-kongresmeni nga Ilinois, Joe Walsh.
"Unë po kandidoj sepse ai është i papërshtatshëm. Dikush duhet të marrë përgjegjësinë dhe të paraqesë një alternativë. Vendi nuk duron dot më grindjet e tij. Ai është si fëmijë," thotë Joe Walsh, kandidat republikan për president
Zoti Walsh mund të rezultojë se nuk mund të bëjë asgjë më shumë sesa të trazojë ujrat, duke pasur parasysh mbështetjen e jashtëzakonshme të zotit Trump nga republikanët.
Por një rënie ekonomike vitin e ardhshëm mund të shkaktojë probleme për presidentin, thotë gazetarja Susan Page:
"Në kohët moderne ne kurrë nuk kemi votuar kundër një presidenti apo mundur nje president për rizgjedhje kur ai është në detyrë në një kohë kur ekonomia po rimëkëmbet, si rimëkëmbja që po provon SHBA në këtë moment. Por gjithashtu nuk kemi rizgjedhur kurrë një president që kandidon për rizgjedhje në një kohë kur jemi në recesion. Pra, kjo është diçka për të cilën Shtëpia e Bardhë është mjaft e vetëdijshme."
Preisdenti Trump përgjithësisht ka mbështetjen e votuesve për ekonominë.
Por një sondazh i fundit i Associated Press zbuloi shqetësime në rritje lidhur me karakterin e presidentit, thotë Steve Peoples i agjencisë së lajmeve Associated Press.
“Ka pasur disa momente pozitive për ekonominë. Por shqetësimi i përgjithshëm për karakterin e këtij presidenti, mënyrën e komunikimit të tij, prirjen e tij për të qenë përçarës për disa çështje, me të vërtetë tejkalojnë çdo përfitim që mund të shihet në ekonomi."
Për momentin, duket se mobilizimi i bazës së tij politike mbetet shpresa më e mirë e Presidentit Trump për të fituar zgjedhjet vitin e ardhshëm.