Edhe sot vazhdon dialogu Kosovë-Serbi, priten rezultate
Bruksel,18 maj - Përfaqësuesit e Prishtinës dhe Beogradit edhe gjatë ditës së sotme vazhdojnë bisedimet e radhës në Bruksel.
Ata dje janë shprehur optimistë se në raundin e katërt do të arrihen rezultate konkrete.
Lëvizja e lirë, energjia, regjistri civil e kadastra janë përmendur nga dy shefat e delegacioneve si tema, për të cilat mund të gjenden zgjidhje konkrete.
Gjithashtu pritet të hapet edhe çështja e të zhdukurve, ajo e trashëgimisë kulturore, dëmet që janë bërë gjatë luftës, si dhe njohja e diplomave shkollore dhe universitare.
Shefja e ekipit të Kosovës Edita Tahiri, tha se të dyja palët kanë punuar që të paktën të nxjerrin kornizën e marrëveshjes për tri tema.
"Rezultate substanciale në çështjet e dialogut presim në lëvizjen e lirë, në tregtinë e lirë dhe në çështjet e energjisë. Këto janë tri fusha të mëdha, ku të dyja delegacionet kanë punuar me përkushtim" tha Tahiri para fillimit të takimit të djeshëm.
Edhe shefi i delegacionit serb, Borisllav Stefanoviq, u shpreh optimist për zgjidhje në tema si kadastra e regjistri civil.