Edhe Kroacia kërkon hetime ndaj Carla Del Pontes
Zagreb, 5 dhjetor - Mbrojtja e gjeneralit kroat të sapoliruar nga Haga, Ante Gotovine, ka paraqitur ankesë para sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon kundër ish-kryeprokurores Carla Del Ponte, për të kërkuar nisjen e hetimeve për shkak të deklaratave të saj, se gjykimi i plotfuqishëm për lirimin e Ante Gotovinës dhe Mlladen Markaçit nuk paraqet drejtësi, ka thënë në profilin në Twitter, avokati Luka Mishetiç.
Mbrojtësit e gjeneralit Gotovina kërkojnë që të ndërmerren hapa, që në të ardhmen Del Ponte të përmbahet nga komentime të tilla dhe që të ndërmerren masa për të kompensuar dëmin, që i është bërë Gotovinës, transmeton REL.
Edhe Kosova dhe Shqipëria kanë deklaruar, se do të kërkojnë nisjen e hetimeve kundër Carla Del Pontes në rastin e shtyrjes përpara të gjykimit të dytë kundër ish-kryeministrit, Ramush Haradinaj, i cili bashkë me ish-luftëtarët e UÇK-së, Lah Brahimaj dhe Idriz Balaj u liruan si të pafajshëm në javën e kaluar nga Gjykata në Hagë.