Edhe 30 muaj për realizimin e objektivave të Zhvillimit të Mijëvjeçarit
New York, 26 shtator - Debatet e përgjithshme në Asamblenë e Përgjithshme të 68-të të Kombeve të Bashkuara janë futur në ditën e dytë.
Në periudhën e pushimit mes debateve kryetari i kësaj asambleje John William Ashe organizoi një veprimtari të posaçme me temën \"Drejt arritjes së Objektivave të Zhvillimit të Mijëvjeçarit\", ku morën pjesë sekretari i përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Mun, administratorja e Programit të Zhvillimit të OKB-së Helen Klark, presidenti i Bankës Botërore Jim Yong Kim etj.
Në fjalën e vet të rastit, Ban Ki Mun u shpreh se, pas përcaktimit të Objektivave të Mijëvjeçarit, bashkësia ndërkombëtare është angazhuar dhe ka ofruar mbështetjen e vet si kurrë më parë, duke arritur përparime të dukshme.
Megjithatë, kreu i OKB-së vuri në dukje se në realizimin e 8 objektivave ka dallime të dukshme ndërmjet vendeve e rajoneve të ndryshme. Tani në mbarë botën ka ende 1 miliard njerëz që jetojnë në varfëri ekstreme, ndërsa koha për realizimin e objektivave është më pak se 30 muaj.
Krerët e shteteve e të qeverive dhe përfaqësuesit e vendeve të ndryshme pjesëmarrës në këtë veprimtari të posaçme, miratuan një dokument, ku ritheksuan premtimet e tyre për realizimin e Objektivave të Zhvillimit të Mijëvjeçarit.
Dokumenti vë në dukje gjithashtu që vendet e ndryshme po u kushtojnë vëmendje të madhe dallimeve, mosbarazisë e sfidave që ekzistojnë në fusha të ndryshme.
Ato do të punojnë me këmbëngulje për realizimin e Objektivave të Zhvillimit të Mijëvjeçarit dhe do të hartojnë një program të fuqishëm për zhvillimin pas vitit 2015.
Pjesëmarrësit e vendeve të ndryshme arritën gjithashtu konsensus për zhvillimin e një takimi të liderëve në shtator të vitit 2015, për të miratuar një program zhvillimi.