EBA përkrah procesin e njohjeve të Kosovës nga vendet arabe
New York, 23 shtator - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, gjatë qëndrimit në New York, ka zhvilluar sot një takim me ministrin e Punëve të Jashtme të Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA), Sheikh Abdullah bin Zayed Al Nahyan.
Ministri Hoxhaj e ka njoftuar homologun e EBA-së për progresin në Kosovë, si dhe fuqizimin e vazhdueshëm të shtetësisë e subjektivitetit ndërkombëtar.
Hoxhaj falënderoi ministrin Sheikh Abdullah për përkrahjen e EBA-së në procesin e shtetndërtimit dhe sigurisë në Kosovë, përmes pjesëmarrjes në KFOR.
Ministri i Punëve të Jashtme i Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA), Sheikh Abdullah bin Zayed Al Nahyan vlerësoi progresin në Kosovë, duke theksuar përkrahjen e mëtutjeshme të shtetit të tij për Kosovën.
Gjatë takimit, dy ministrat kanë biseduar edhe për procesin e njohjeve të Kosovës, me çrast ministri Sheikh Abdullah premtoi përkrahjen e EBA-së në rritjen e numrit të shteteve që do të njohin Kosovën, me theks të veçantë nga shtetet e mbetura arabe.
Dy ministrat biseduan edhe për bashkëpunimin ekonomik ndërmjet dy vendeve, ku u bë e ditur se pritet nënshkrimi i disa marrëveshjeve bilaterale për heqjen e taksës së dyfishtë dhe mbrojtjen e investimeve dypalëshe.
Ministri Sheikh Abdullah bin Zayed Al Nahyan theksoi se bujqësia, arsimi, minierat, energjetika dhe telekomunikacioni janë fusha me interes për investime nga ana e EBA-së.
Gjatë takimit, ministri i Jashtëm i EBA-së premtoi se gjatë pjesës së parë të vitit 2014 do të vizitojë zyrtarisht Kosovën.
Ministri Hoxhaj dhe homologu Sheikh Abdullah kanë biseduar edhe për mundësitë e aplikimit të Kosovës në Abu Dhabi Fund etj.