Dy skenarët gjerman për Serbinë
Berlin, 18 qershor - Gjermania do të jetë vendi që e mban në dorë fatin e datës për negociatat për anëtarësim për Serbinë.
Skenari i parë është që më 27 Qershor, një ditë para samitit të Këshillit të BE-së, parlamenti gjerman, Bundestag, të propozojë adoptimin e një statusi në dy faza. Kjo nënkupton që të nesërmen Këshilli i BE-së nuk i jep datën e saktë Serbisë se kur mund të nis negociatat për anëtarësim.
Për ta arritur këtë do të kërkohet implementimi i plotë i marrëveshjes së arritur në Bruksel dhe më pas të diskutohet çështja e datës në samitin e 15 dhjetorit.
Lajmi është publikuar në programin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë duke përmendur si burim dy pjesëtarë të delegacionit të Serb që këtë javë është takuar me anëtarë të partisë së kancelares gjermane, Angela Merkel, CDU (Kristian-Demokratët).
Në rast se ky skenar do të aplikohet, atëherë data që do i caktohet Serbisë për fillimin e këtyre negociatave do jetë fundi i vitit 2014. Se a do shtyhet edhe kjo mundësi varet nga niveli i implementimit të marrëveshjës së Brukselit.
Opcioni tjetër është që data për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE ti jepet në fillim të vitit të ardhshëm. Për këtë opsion nuk ka shumë kohë pasi kjo do merrej në konsideratë nëse do arriheshin hapa konkretë para 27 qershorit gjatë bisedimeve Kosovë Serbi në të gjitha temat që tani janë duke u diskutuar në Bruksel.
Në të dyja rastet implementimi i marrëveshjes me Kosovën është krye-kushti për Serbinë. Në atë raport gjithashtu thuhet se pavarësisht qëndrimeve në favor të Serbisë që do të mund të mbanin shtetet tjera anëtare, Gjermani nuk e ka në plan të tërhiqet prej qëndrimit të saj. Përpos kësaj gjithashtu thuhet se edhe kur ti jepet data Serbisë, ky shtet nuk do ec të njejtës rrugë të anëtarësimit si shtetet tjera që tashmë janë anëtare të BE-së.
Në rastin e Serbisë do të insistohet në përmbushjen e kritereve politike që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve në rajon. Parlamentarët serbë janë munduar të kuptojnë nëse kjo do të thotë njohje e Kosovës, mirëpo një lidhje direkte me këtë nuk është bërë.