Duskutohet për sigurimet e automjeteve
Bruksel, 23 maj - Nën udhëheqjen e zëvendëskryeministres së Qeverisë së Republikës së Kosovës, Edita Tahiri, në Bruksel u mbajtën takime dypalëshe me ndërmjetësit e Bashkimit Evropian dhe Këshillin e Byrove për çështjen e Sigurimeve të Automjeteve.
Në takimin e parë me ndërmjetësuesin e Bashkimit Evropian Alexis Hupin u qartësuan disa elemente, me theks të veçantë në synimet e delegacionit të Kosovës për uljen e çmimeve të sigurimeve dhe lehtësimin e procedurave për kalime ndërkufitare, të Memorandumit të Mirëkuptimit në mes të industrisë së Sigurimeve të Kosovës dhe asaj të Serbisë.
Ishte vlerësim i përbashkët që çmimet aktuale dhe vështirësitë në kalimet kufitare janë pengesa të panevojshme për qytetarët dhe si rrjedhojë duhet të vazhdohet me diskutimet dhe dialogun për arritjen e Memorandumit të Mirëkuptimit në mes të dy vendeve.
Po ashtu, delegacioni i Kosovës pati takime edhe me sekretaren e përgjithshme të Këshillit të Byrove Znj. Greet Flore.
Në ketë takim u diskutua për rolin e Këshillit të Byrove si garantues të Memorandumit të Mirëkuptimit në mes të Serbisë dhe Kosovës për çështje të sigurimeve kufitare të automjeteve, dhe ndikimi i Memorandumit të Mirëkuptimit si në arritjen e marrëveshjeve me vende tjera e po ashtu edhe në perspektiven e anëtarësimit të industrisë së sigurimeve të Kosovës në Këshillin e Byrove.
Në këtë takim u qartësuan disa pika të rëndësishme për perspektivën e anëtarësimit në Këshillin e Byrove siç janë: Stabiliteti i Byrosë Kosovare të Sigurimeve, Kapacitetet e Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BKS) për trajtimin dhe shpagimin e dëmeve; Aftësitë, kapacitetet dhe përgatitjet e BKS dhe industrisë së sigurimeve për vetë qëndrueshmëri jashtë sistemit të sigurimeve kufitare; Kapacitetet absorbuese të BKS dhe industrisë së sigurimeve për zbatimin e kritereve të Këshillit të Byrove për anëtarësim, etj.
Ishte vlerësim i përbashkët si i delegacionit të Kosovës, ndërmjetësve të BE e po ashtu edhe e znj. Flore që lënja e Kosovës jashtë mbulueshmërisë me karton të gjelbër është një anomali dhe si e tillë duhet të zgjidhen modalitetet për dalje nga kjo situatë. Delegacioni i Kosovës paraqiti disa metoda për mundësitë e daljes nga kjo gjendje duke u bazuar në rregullativën e Këshillit të Byrove. Takimet të tilla do të vazhdohen edhe në ditët në vazhdim deri në gjetjen e një zgjidhje evropiane të këtyre problemeve të akumuluara.
Delegacioni i Kosovës, përveç udhëheqëses së dialogut Znj, Tahiri, kishte në përbërje edhe Rrahim Pacollin i emëruar i Qeverisë së Republikës së Kosovës për udhëheqje të Grupit Teknik për çështje të Sigurimeve kufitare dhe dialog me Këshillin e Byrosë së Kartonit të Gjelbër, Qemajl Marmullakaj koordinator për çështje të sigurimeve kufitare dhe Gazmir Raci, këshilltar politik i zëvendëskryeministres Edita Tahiri.