Dugolli ia dorëzoi letrat kredenciale Mbretit të Suedisë
Stokholm, 5 dhjetor - Ambasadori i Republikës së Kosovës në Suedi, Ilir Dugolli, i ka dorëzuar sot letrat kredenciale te Mbreti i Suedisë, Carl XVI Gustaf.
Gjatë audiencës, shefi i shtetit suedez i ka uruar mirëseardhje ambasadorit Dugolli, ka shprehur interesim për zhvillimet në vend dhe po ashtu ka ritheksuar përkushtimin e shtetit të tij për vazhdimin e mbështetjes për Kosovën.
Mbreti Carl XVI Gustaf është interesuar në veçanti për aspekte të marrëdhënieve bilaterale ndërmjet dy vendeve, por edhe për konsolidimin e shtetit të Kosovës, marrëdhëniet me fqinjët dhe rrugëtimin drejt BE-së.
Ambasadori Dugolli ka falënderuar për mikpritjen dhe kontributin e shumanshëm të Suedisë, duke nënvizuar zotimin për angazhim në avancimin e mëtejmë të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.