Drashkoviç: Pjesëmarrja në zgjedhje,interes i Serbisë
Beograd, 4 nëntor - Lideri i Lëvizjes për Rimëkëmbjen Serbe, Vuk Drashkoviç, ka deklaruar se është në interes të shtetit serb dhe të serbëve të Kosovës, që Qeveria e Serbisë t`i bëjë thirrje serbëve të Kosovës që të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare.
"Deklaratat e disa ministrave tanë se nuk janë pjekur kushtet për pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje janë vazhdim i strategjisë së gabuar shtetërore nga e cila kemi menduar se është hequr dorë pas miratimit të rezolutës së përbashkët të Serbisë dhe BE-së në OKB, ka thënë Drashkoviç.
Sipas tij, tashmë janë pjekur të gjitha kushtet që serbët e Kosovës nuk guxojnë më të jenë pengje të askujt.
"Ata jetojnë në Kosovë dhe askush nuk ka të drejtë t`u mbajë leksione patriotizmi. Nuk janë ata që e kanë humbur sovranitetein e shtetit të Serbisë ndaj Kosovës. Ata janë viktimat më të mëdha, tha Drashkoviç për mediat serbe.