Drashkoviç kërkon ndryshim kursi nga Beogradi për Kosovën
Berlin, 9 gusht - Serbia duhet ta pranojë realitetin në Kosovë dhe duhet ta ndryshojë strategjinë e vet kundrejt saj. Kjo është një çështje thelbësore për të ardhmen europiane të Serbisë.
Projektrezoluta që Serbia ka paraqitur në OKB do duhet të ndryshohet që të jetë sa më e shkurtër, p.sh. në këtë formë: Asambleja e Përgjithshme e OKB-së u bën thirrje autoriteteve në Beograd dhe në Prishtinë që, me ndërmjetësimin e BE-së dhe të OKB-së, të zhvillojnë një dialog konstruktiv për një bashkëpunim të gjithanshëm të ndërsjellë dhe për mbrojtjen thelbësore të popullit serb në Kosovë dhe Metohi.
Kosova, realisht, është tani krahinë e Serbisë aq sa kali i perandorit romak Kaligula ka qenë senator! Këto janë disa nga konsideratat që ish-ministri i Jashtëm i Serbisë dhe kryetar i SPO-së (Lëvizja e Ripërtëritjes Serbe), Vuk Drashkoviç, i shprehu dje, midis të tjerave, në një intervistë në gazetën e përditshme serbe Blic, duke folur për Kosovën.
Një strategji të tillë do ta mbështesnin BE-ja, SHBA, Rusia, të gjitha vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, thotë Drashkoviçi, duke theksuar se Serbia tani ka nevojë që ta ndryshojë Kushtetutën e saj, e cila e pengon një strategji të tillë. Ai theksoi se Beogradi duhet ta respektojë realitetin në Kosovë, realitetin e botës, në të cilën jetojmë dhe strategjinë e vet shtetërore tua nënshtrojë qëllimeve reale: Mbrojtjes thelbësore të serbëve në të gjithë Kosovën dhe të trashëgimisë sonë fetare me garancinë ndërkombëtare. Lidhur me atë se çfarë garancish do të ketë nëse kundërshtohet dialogu për statusin e Kosovës, Drashkoviçi vuri në duke se kështu që duhet të bashkëpunojmë ngushtësisht me BE-në dhe SHBA-në, para së gjithash.
Por ata nuk duan që të flitet për mbrojtjen e serbëve, por për çështje teknike të tilla, si ato të energjisë elektrike, gjykatave e të tjera si këto?, ishte pyetja e radhës, së cilës politikani veteran i njohur serb iu përgjigj:
Kjo nuk është e saktë. Ata na kanë rekomanduar se mund të flasim për gjithçka, me përjashtim të statusit, sepse këtë të fundit e quajnë një çështje të mbyllur. Ne tani jemi në pozicionin që mund të mbrojmë gjithçka që është e jona në Kosovë. Nga neve kërkohet që të respektojmë realitetin dhe jo që ta njohim Kosovën si shtet sovran. Kina nuk e njeh Tajvanin, por me këtë të fundit bashkëpunon në mënyrë të gjithanshme. Gjermania Perëndimore nuk e njohu kurrë atë Lindore, por bashkëpunonte dhe bashkëbisedonte me të, tha kryetari i SPO-së. Kurse pyetjes se nëse Serbia nuk do të ketë ingjerenca (kompetenca) mbi serbët e Kosovës, atëherë nuk do të mund të ketë as garanci për mbrojtjen e tyre?
Drashkoviçi iu përgjigj, duke theksuar se bazë për bisedimet mund të jetë pjesa, që nuk ka të bëjë me statusin, e planit të Ahtisarit, të cilin Prishtina tanimë e ka pranuar, kështu që ne, me mbështetjen e BE-së dhe të SHBA-së, do të mund të kërkonim disa përmirësime të tij. Kjo dikujt mund ti tingëllojë si heretike, sepse te ne plani i Ahtisarit është hedhur poshtë me të njëjtën arrogancë injorante, ashtu sikurse u hodh poshtë në kohën e vet edhe plani Z4 për serbët në Kroaci, tha ai. Kurse sa i përket asaj nëse projektrezoluta serbe për Kosovën do të mund të miratohet në OKB, Drashkoviçi konsideron:
Nuk besoj, sepse duket se, deri në fund të seancës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, shumica e vendeve anëtare të OKB-së do ta njohë shtetin e Kosovës. Madje edhe nëse arrijmë ndonjë shumicë të caktuar dhe këtu këtë do ta shpallnim si fitore, atëherë do të dilnim edhe më shumë të humbur, sepse do të hynim në një konflikt, të dëmshëm për Serbinë, me BE-në dhe Uashingtonin. Për më tepër që rezolutat e OKB-së nuk janë obliguese, madje as sa mendimi konsultativ i GJND-së së Hagës.