Dominika edhe zyrtarisht njeh pavarësinë e Kosovës
Prishtinë, 11 dhjetor - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka pranuar notën verbale të njohjes zyrtare të Republikës së Kosovës nga Dominika.
Autoritetet e Dominikas, po ashtu kanë dërguar edhe një letër, e cila i adresohet presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ku konfirmohet vendimi zyrtar i këtij shteti për njohjen formale të pavarësisë së Kosovë.
Në emër të popullit të Komonvelthit të Dominikas, është kënaqësi e veçantë të ju informoj se Dominika njeh Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran. Përgëzojmë përkushtimin e popullit të Kosovës për të ndërtuar një shtet të pavarur mbi bazën e parimeve të lirisë dhe demokracisë, thuhet në letër.
Në të, po ashtu vlerësohet se që nga shpallja e pavarësisë së saj, Kosova ka demonstruar përkushtim për të bashkëpunuar me komunitetin ndërkombëtare, sidomos me Kombet e Bashkuara, për zgjidhjen e konflikteve me fqinjët e saj.
Me këtë ne jemi të gëzuar të ju informojmë se pranojmë kërkesën tuaj për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Dominikën, thuhet në letër, ku theksohet se Dominika
planifikon të hap përfaqësi në Kosovë, duke shprehur mirëpritjen e përfaqësisë së Kosovës në Dominika.
Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, gjatë lobimit të fuqishëm për njohje nga shtetet e Karaibeve, dy herë gjatë vitit 2012 ka vizituar Dominikan dhe ka pasur kontakte të shpeshta dhe takime direkte me liderët e këtij shteti.
Hoxhaj ka takuar kryeministrin, njëkohësisht ministër i Punëve të Jashtme si dhe i Financave i Dominikas, Roosevelt Skerrit dhe përfaqësues të tjerë të lartë.
Pas prezantimit të argumenteve të fuqishme për Kosovën, nga ana e ministrit Hoxhaj, autoritetet e këtij shteti patën premtuar përkrahje konkrete për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.
Dominika (Commonwealth of Dominica), është një shtet ishullor në detin e Karaibeve, me një sipërfaqe prej 750 kilometrash katrorë dhe me popullsi mbi 73 mijë banorë.
Dominika ka kryeqytet Roseaun dhe është shtet anëtar i Kombeve të Bashkuara që nga viti 1978.