Dominica konfirmon njohjen e Republikës së Kosovës
Roseau, 8 dhjetor - Konfirmimi ka ardhur gjatë darkës zyrtare që zëvendëskryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli ka zhvilluar me kryeministrin e këtij shteti Roosevelt Skerrit, të premten në Paris, menjëherë pas kthimit nga kontinenti afrikan.
Kryeministri Skerrit i cili ishte i shoqëruar nga ambasadori i vendit të tij në OKB, i konfirmoi zëvendëskryeministrit Pacolli se shteti i tij ka vendosur që të njohë Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran, ndërsa formalizimi do të bëhet në mbledhjen e radhës të Qeverisë së këtij shteti, javën e ardhshme.
Zëvendëskryeministri Pacolli ka zhvilluar një aktivitet intensiv me vendet e Caricomit që nga viti 2009, e veqanërisht me shtetin e Dominicas, ndërkaq me kryeministrin Roosevelt Skerrit ka pasur disa takime.
Së fundmi, zëvendëskryeministri Pacolli është takuar me kryeministrin Skerrit në New York, gjatë organizmit të takimit South South, ku ishte i ftuar nderi në mesin e rreth 100 burrështetasve botërorë, mes të cilëve edhe sekretari gjeneral i OKB-së, Ban Ki Mon.