Dhoma e Përfaqësuesve në SHBA voton që Pence të përdor amendamentin e 25-të
Washington, 13 Janar - Dhoma e Përfaqësuesve në SHBA ka votuar për një rezolutë që kërkon nga zëvendëspresidenti Mike Pence të përdor amendamentin e 25-të për rrëzimin e presidentit Donald Trump për shkak rë trazirave të dhunshme të javës së kaluar në Kongresin Amerikan.
Projekt-ligji, i cili u paraqit nga përfaqësuesi demokrat i shtetit Maryland, Jamie Raskin, u miratua në një votim 223-205 disa orë pasi Pence i tha kryetares së Dhomës së Përfaqësueses, Nancy Pelosi, se ai nuk do ta bënte atë.
"Nuk besoj se një mënyrë e tillë veprimi është në të mirë të interesit tonë kombëtar ose në përputhje me kushtetutën tonë", tha më herët Pence.
Vetëm një ligjvënës republikan, përkatësisht përfaqësuesi i shtetit Illinois, Adam Kinzinger, doli në anën e demokratëve duke votuar në favor të projekt-ligjit.
Zv/presidenti Pence kërkoi nga Pelosi dhe anëtarët e Kongresit "të shmangin veprimet që do të ndanin dhe nxisnin më tej pasionet e momentit".
Të dielën, Pelosi u zotua se demokratët do të veprojnë me urgjencë, duke theksuar se Trump përbën "një kërcënim të afërt" për kushtetutën dhe demokracinë amerikane.
"Përderisa ditët kalojnë, tmerri i sulmit të vazhdueshëm ndaj demokracisë sonë, i kryer nga ky president, është intensifikuar dhe kështu veprimi është nevojë e menjëhershme", tha ajo në një letër për zv/presidentin Pence.
Demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve më herët thanë se nëse Pence dështon të veprojë, ata do të vazhdojnë përpara me një votë për impiçment kundër presidentit në largim.
Trump është akuzuar për nxitje të dhunës pasi mbështetësit e tij sulmuan ndërtesën e Kongresit Amerikan, e cila përfshin Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatin, gjë që shkaktoi pesë vdekje, si dhe nxiti zemërim si tek demokratët ashtu edhe tek republikanët.