Deutscher Rundfunk: Kosova e zhytur në korrupsion
Berlin, 19 korrik - Radio publike gjermane Deutschland në një shkrim të gjatë vlerëson se Kosova është një vend i zhytur në korrupsion, pa perspektivë për të rinjtë, të cilët e konsiderojnë si simbol të mafias kryeministrin Thaçi.
Radio gjermane tregon sesi për të rinjtë kosovarë kënga e Trojës Amaneti i Clownit është bërë himni i pakënaqësisë kundër gjendjes aktuale.
Vedatin, Arjanin e Dalipin i takojmë në një kafe me ambient të jashtëm. Ata porosisin ujë mineral. Është më i lirë sesa cappuccino, që prapë është përgjysmë më lirë sesa në Gjermani, por edhe kjo është e tepërt nëse keni vetëm 100 euro për të kaluar muajin, nis rrëfimi i DRadio.
Ata shpjegojnë sesa vështirë është të gjesh punë edhe me master, dhe edhe nëse ke, pa sigurim shëndetësor mbetesh gjithmonë.
Këta kosovarë e shohin kryeministrin Thaçi si burim të të këqijave në Kosovë.
Por, Hashim Thaçi është në pushtet. Përkrahet nga Amerika, që e sheh si garantuesin e stabilitetit politik. Në Evropë, ai prakitikisht është i izoluar. Shumë pak zyrtarë të lartë qeveritarë nga Gjermania, Franca apo shtetet e tjera të BE-së e kanë vizituar Prishtinën së fundi. Hashim Thaçi njihet si peson non-grata sekret i Evropës. Kjo, edhe kur e bëri një biznesmen të dyshimtë president, e edhe kur u raportua në Evropë se ai është peshku i madh i mafias kosovare, që pas luftës trafikoi drogë dhe armë, e u përfshi edhe në trafikim organesh. Kryeministri e mbrojti veten, duke hedhur poshtë akuzat, raporton më tej radioja.
Artan Mustafa, që ka përfunduar Shkenca Politike thotë në UP se Kosova kontrollohet nga një grup familjesh.
Është e qartë se Kosova dominohet nga një oligarki e fuqishme, dhe përbëhet nga disa familje të mëdha. Askush nuk mund të bëjë biznis ose të nisë një të ri pa lejen e këtyre familjeve. Ata kontrollojnë edhe administratën e gjyqësorin. Ata sigurohen që veprimtaritë e tyre ilegale të mos hetohen. Kjo funskionon kur njerëzit nënshtrohen dhe binden., Por, njerëzit janë mësuar ta bëjnë një gjë të tillë, sepse ndjehen të pafuqishëm, dhe e ardhmja e tyre varet nga kjo, thotë Mustafa.
DRadio e merr për shembull të një prej oligarkëve Fatmir Limajn, për të cilin thotë se EULEX-i e heton për keqpërdorimin e 80 milionë Eurove gjatë ndërtimit të autostradës.
Ramadan Ilazi, drejtues i FOL, tregon sesi po krahasohen pasuritë e politikanëve, teksa sheh përballë BMW-të e ministrave dhe deputetëve me xhama të zi.
Nuk kuptohet sesi rritet pasuria e tyre, nëse nuk deklarojnë biznese. Kanë rrugë të tjera dhe kontrollojnë ekonominë e Kosovës, thotë Ilazi.
Ngushëllimi i vetëm, sipas DRadio mbetet kënga e Trojës.