26 Dhjetor 2024

Dështimi për rifillimin e bisedimeve mund t'i fusë flakën rajonit

Beograd, 22 mars - Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha të enjten se, dështimi për të ringjallur bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, mund të destabilizojë rajonin e Ballkanit Perëndimorë.

Ai i bëri këto komente në një intervistë për agjencinë e lajmeve Reuters, duke folur për procesin e pezulluar të bisedimeve, vazhdimi i të cilave kushtëzohet me anulimin e tarifave ndaj mallrave serbe që janë vendosur nga qeveria e Kosovës.

"Çdo ditë e zvarritjes, çdo ditë dhe çdo javë e zvarritjes, mund të krijojë mundësi në të cilat një shkëndijë mund t'i fusë flakën tërë rajonit. Vendet perëndimore, që e përdhelin Prishtinën, duhet ta dinë këtë shumë mirë", tha ai.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës, e cila u shpall në shkurt të vitit 2008, nëntë vjet pas ndërhyrjes së NATO-s për t'u dhënë fund mizorive të forcave serbe në Kosovë.

Por, ajo është përfshirë në një proces të gjatë bisedimesh me Kosovën, meqë normalizimi i marrëdhënieve, është kusht për integrimin e të dyja vendeve në Bashkimin Evropian.

"E ardhmja jonë evropiane varet nga negociatat me Prishtinën dhe nëse ndonjë ditë do të jemi në gjendje të arrijmë ndonjë marrëveshje. Përndryshe, askush nuk do të na lejojë në Bashkimin Evropian dhe qytetarët e Serbisë duhet ta dinë këtë", tha ai, duke nënvizuar se një marrëveshje është ende e largët.

Presidenti serb si dhe presidenti i Kosovës Hashim Thaci, që nga vera e vitit të kaluar kanë folur për idetë e "korrigjimit të kufijve" apo "vënies së kufijve", që nga analistët janë interpretuar si synime për shkëmbim territoresh. Në Kosovë, parlamenti ka miratuar një platformë për bisedimet me Serbinë duke vënë vijat e kuqe, përtej të cilave Kosova nuk mund të diskutojë.

"Nuk dua të flasë për vija të kuqe, por kemi mjaft sosh, ashtu sikundër ata kanë shumë sosh. Por, nuk dua të flasë për to, sepse kjo i dëmton bisedimet. Kemi shumë dhe nuk jemi askund afër ndonjë marrëveshjeje. Nuk kemi asnjë projekt, nuk kemi marrëveshje të propozuar, nuk kemi asgjë në këtë moment. Nuk do të shkatërrojë mundësitë për të biseduar, sepse bisedimet e mbajnë gjallë Serbinë", tha ai.

Presidenti serb shfaqi bindjen se së shpejti mund të ketë disa nisma të reja gjermano franceze apo evropiane rreth kësaj çështjeje.

Tash për tash, nuk ka asnjë lëvizje që flet për vazhdim bisedimesh, derisa Beogradi ngulë këmbë në anulimin e tarifave, ndërsa qeveria e Kosovës refuzoi edhe trysninë amerikane për pezullimin e tyre, duke kërkuar garanci që bisedimet do të përmbyllen me njohje të ndërsjellë, në kufijtë ekzistues të Kosovës.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)