11 Janar 2025

Der Standard: Serbia e gatshme për kompromis!

Beograd, 18 shkurt - Qeveria e Serbisë ka propozuar një kompromis sa i përket shpërbërjes së strukturave paralele në veri të Kosovës.

Sipas një artikulli të gazetës austriake ”Der Standard”, i cili është botuar në numrin e sotëm nga autori Andrej Ivanji, përfaqësuesit e minoritetit serb në Kosovë, në të ardhmen duhet të mbajnë kontakte si me qeverinë e Kosovës ashtu edhe me qeverinë e Beogradit.

Ndonëse Beogradi zyrtar publikisht vazhdon me kritika dhe kundërshtimin e pavarësisë së Kosovës, shkruan ”Der Standard”, në planin diplomatik, po shprehet i gatshëm për të arritur një kompromis.

Një përparim në dialogun me Kosovës, do të jetë kusht që Bashkimi Evropian në qershor t’i japë Serbisë datën e fillimit të bisedimeve për anëtarësim. E kushti kryesor i BE-së është shpërbërja e strukturave paralele të sigurisë në veri.

Ky kusht ishte kërkuar qysh në verë të vitit 2011, nga kancelarja gjermane, Angela Merkel gjatë qëndrimit në Beograd në takimin me presidentin e atëhershëm të Serbisë, Boris Tadiç.

Sipas artikullit të sotëm të gazetës ”Der Standard”, presidenti aktual Tomislav Nikoliq, ka bërë një kthesë të befasishme në qëndrimin e tij përballë Kosovës.

Ai është pajtuar që në veri të Kosovës të formohen institucione të reja lokale që do të bashkëpunojnë me Beogradin zyrtar por edhe me ato të Kosovës dhe do të jenë në harmoni me Kushtetutën e Kosovës.

Kjo sipas gazetës ”Der Standard”, do të thotë fund i institucioneve paralele në Kosovë.

Gazeta ”Der Standard” shkruan se kjo strategji e Beogradit po mbështetët në moton “të shpëtohet ajo çfarë mund të shpëtohet”.

Çështja e pranimit të institucioneve të Kosovës dhe integrimi në këto institucione, do të bisedohen të martën në dialogun e radhës ndërmjet kryeministrit të Serbisë, Ivica Daçiq dhe atij të Kosovës Hashim Thaçi, shkruan gazeta vjeneze ”Der Standard”.

Sipas kësaj gazete liderët e serbëve në veri po kundërshtojnë pozicionin e bisedimeve të Beogradit dhe janë të revoltuar me lëshimet që po bëhen.

Partitë e djathta radikale ndërkaq, kanë shkuar aq larg sa kanë akuzuar kryeministrin serb Daçiq edhe për tradhti të lartë kombëtare.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)