Deputetët e BE-së u japin lamtumirën kolegëve të tyre britanikë
Bruksel, 31 janar - Ligjvënësit nga 27 vendet e mbetura anëtare të Bashkimit Evropian u kanë dhënë lamtumirën kolegëve të tyre britanikë.
Deputetët britanikë të Parlamentit Evropian morën pjesë në seancën e tyre të fundit të votimit përpara daljes së Britanisë nga BE-ja më 31 janar.
Nënkryetarja e Parlamentit Evropian Dita Charanzova shprehu mirënjohje për ligjvënësit britanikë:
"Kolegë, meqë është votimi i fundit me kolegët tanë britanikë, unë do të doja t'i falënderoja për gjithë punën e tyre në Parlamentin Evropian dhe t'u uroj atyre më të mirën."
Deputetja nga Partia e Gjelbër Gjermane dhe themeluesja e grupit të miqësisë BE-Mbretëri e Bashkuar Terry Reintke shprehu shpresën se lidhjet midis dy palëve do të jenë të ngushta edhe pas "Brexit"-it:
"Sinqerisht sot, kur për herë të fundit isha ulur pranë kolegut tim laburist në të djathtën time dhe kolegut tim të gjelbër në të majtë, u ndjeva paksa e trishtuar mbase, sepse do të jetë hera e fundit dhe do të na marrë shumë malli për ta. Por në të njëjtën kohë, tani kemi një platformë dhe do të qëndrojmë në kontakt e do të punojmë përsëri së bashku".
Këshilli i BE-së ka miratuar vendimin për të përmbyllur marrëveshjen e tërheqjes së Mbretërisë së Bashkuar, e cila është miratuar nga Parlamenti Evropian.