Demokracia në Shqipëri në rënie, korrupsioni po thellohet
Tiranë, 18 qershor - Demokracia në Shqipëri është ulur nga një vit më parë ndërsa korrupsioni është thelluar më tej.
Kështu thuhet në raportin Vendet në Trazicion të Freedom House që shqyrton zhvillimet në 29 vende ish-komuniste të Evropës dhe Euroazisë.
Në pjesën për Ballkanin ku përfshihet edhe Shqipëria thuhet se korrupsioni në këtë rajon ka vazhduar të thellohet, pavarësisht presionit nga Bashkimi Evropian dhe institucionet ndërkombëtare për të forcuar pavarësinë e gjyqësorit.
Si dëshmi e pandëshkueshmërisë dhe nivelit të lartë të korrupsionit, Freedom House e vlerëson Shqipërinë në shkallën 5,00-5,25.
Gazetarët, sidomos ata që mbulojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin, përballen me presion politik, kërcënime dhe sulme. Si dëshmi të këtyre vendeve numërohen Shqipëria, Bosnja dhe Kosova, thuhet në raport.
Me tej në raportin e organizatës Freedom House Vendet në Tranzicion thuhet se vendet në Evropën Qendrore dhe Azinë Qendrore janë gjithnjë e më shumë duke u sunduar nga qeveri autokratike, të cilat kanë pak konsideratë për demokracinë.
Analiza vjetore e zhvillimit demokratik nga Evropa Qendrore në Azinë Qendrore vë në pah se ka pasur përkeqësim shqetësues të kushteve për shoqërinë civile në gjithë Euroazinë.