Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi brenda këtij viti
Bërdo, 25 korrik - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, gjatë pjesëmarrjes në konferencën e Bërdos, në Slloveni, është takuar sot me ministrin e Punëve të Jashtme të Malit të Zi, Igor Lukić.
Gjatë takimit, ministri Hoxhaj dhe homologu Lukić kanë biseduar për thellimin e bashkëpunimit bilateral.
Ministri Hoxhaj theksoi vullnetin e Qeverisë së Kosovës për thellimin e bashkëpunimit me Mali i Zi në shumë fusha, me theks të veçantë në mundësitë e zhvillimit të disa projekteve të përbashkëta në fushën e infrastrukturës, transportit e tregtisë.
Edhe ministri Igor Lukić shprehu gatishmërinë e Qeverisë malazeze për thellimin e bashkëpunimit në shumë fusha me Kosovën.
Gjatë takimit, dy ministrat kanë biseduar edhe për përfundimin e procesit të shënimit të vijës kufitare ndërmjet dy shteteve, ku u bë e ditur se ky proces pritet të përfundojë brenda vitit.
Hoxhaj dhe Lukić po ashtu u pajtuan për thellimin e bashkëpunimit në kuadër të nismave rajonale, për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, si dhe koordinimin për agjendën e përbashkët integruese evropiane.
Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, gjatë pjesëmarrjes në samitin e Bërdos, ku janë ftuar presidentët dhe ministrat e Jashtëm të Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë, do të zhvillojë takime me shumë përfaqësues të lartë shtetërorë dhe homologë nga shtetet e rajonit dhe më gjerë.