Delo: Serbia më afër njohes së pavarësisë së Kosovës
Beograd, 5 shtator - Marrëveshja e arritur për vulat doganore midis Kosovës e Serbisë e ka afruar Serbinë drejt njohjes së shtetësisë së Kosovës, shkruan në numrin e sotëm e përditshmja sllovene Delo.
Edhe pse vula doganore, e cila për synim ka qarkullimin e normalizuar të mallit në kufirin midis Serbisë dhe Kosovës, nuk do të përmbajë simbole shtetërore të Kosovës, kjo vulë e afron Serbinë drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës, shkruan gazeta.
E përditshmja Delo gjithashtu vlerëson se rezultatet janë arritur në raundin e fundit të bisedimeve, për shkak të trysnisë që Brukseli ka ushtruar mbi Serbinë e Uashingtoni mbi Kosovën.
Për këtë arritje është kujdesur edhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, e cila pa dorëza diplomatike ka tërhequr vërrejtjen se përparimi i Serbisë drejt anëtarësimit në BE varet nga përparimi në raportet Beograd Prishtinë, shkruan gazeta lubjanase.