Dell: Ndarja e Kosovës, qasje krejtësisht e papranueshme
Prishtinë, 25 maj - Amabasdori amerikan në Prishtinë Kristofer Dell, duke komentuar idetë e zyrtarëve të lartë serbë për ndarjen e Kosovës, tha se nuk është i befasuar me deklarata të tilla, duke shtuar se Presidenti Tadiq ka folur hapur për këtë zgjidhje ka një kohë të gjatë.
Dell në një intervistë mbrëmë për TV21 tha se SHBA-të nuk e pranojmë një ide të tillë, duke nënvizuar se ndarja është një qasje krejtësisht e papranueshme.
Ambasadori amerikan vlerësoi se është paksa zhgënjyese që nuk ka më shumë modernizëm në mënyrën e të menduarit në Beograd.
Këto janë zgjidhje që tashmë janë provuar vazhdimisht në Ballkan - që prej shek. XIX, dhe nuk kanë sjellë asgjë tjetër veç luftës dhe shkatërrimit, theksoi diplomati amerikan.
Dell mendon se ka ardhur koha që tani të kërkohen zgjidhje më moderne në kontekst të Evropës së shek. XXI, që të zgjidhen dallimet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.
Sipas ambasadorit amerikan, parakusht i aspiratave evropiane të Serbisë dhe të Kosovës është që këto probleme të zgjidhen në mënyrë moderne e konstruktive.
Dhe kushti më i madh që bashkësia ndërkombëtare mund ta shfrytëzojë në përpjekjet e saj për ta shtyrë Beogradin që të ndryshojë mënyrën e tij të të menduarit, është pikërisht perspektiva e tij për anëtarësim në BE.
Dell konsideron se serbët duhet ta kuptojnë realitetin e Kosovës së pavarur para anëtarësimit të tyre eventual në BE. Dhe kjo gjeneron një kusht të rëndësishëm dhe kuptimplotë në këtë proces, theksoi Dell.