Delegacioni parlamentar i Kosovës në samitin e Malit të Zi
Prishtinë, 22 qershor - Me ftesë të kryetarit të Parlamentit të Malit të Zi, Ranko Krivokapiq, delegacioni i Komisionit për Integrime Evropiane mori pjesë në takimin punues ndërparlamentar me temën: Roli i parlamentit në procesin e negociatave të pranimit në BE, i cili u mbajt në Beçiq, të Mal të Zi, organizuar nga Parlamenti i Malit të Zi në bashkëpunim me Parlamentin Evropian.
Shkëmbimi i përvojave dhe praktikave më të mira të vendeve të rajonit dhe përfitimi i vendeve të Ballkanit që janë në faza të ndryshme të integrimit evropian, ishin temë diskutimi i këtij samiti, në të cilin morën pjesë : Lutfi Haziri, kryetar i Komisionit për Integrime Evropiane dhe anëtarët Sasha Milosavleviq e Blerta Deliu Kodra.
Delegacioni i Kosovës i prirë nga Lutfi Haziri, gjatë diskutimit të tyre në këtë samit foli për rolin e Parlamentit të Kosovës, duke theksuar faktin se ekziston një konsensus i të gjitha partive politike për të çuar përpara agjendën evropiane.
Haziri duke folur në emër të delegacionit parlamentar tha se Kuvendi vazhdon të luajë rol të rëndësishëm në përafrimin e legjislacionit me aqui comunitare dhe se Komisioni për Integrime Evropiane edhe në fazën pas marrjes së udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, ka intensifikuar punët që ndërlidhen me raportimin e ministrave përkatës lidhur me përmbushjen e kritereve që kërkohen.
U theksua se ky komision ka filluar vizitat në disa komuna të Kosovës, për të parë nga afër procesin e riintegrimit të personave të riatdhesuar, meqë riatdhesimi paraqet njërin nga kriteret kyçe në rrugën evropiane, duke përmendur më tej edhe miratimin e Planit të Veprimit të Kuvendit për Integrime Evropiane.
Komisioni parlamentar për Integrime Evropiane brenda këtij viti ka rekomanduar për séancë 34 ligje, ndërsa 26 ligje janë kërkuar nga Raporti i Progresit të KE-së që të miratohen gjate vitit 2012. Shumica nga këto ligje tashmë janë miratuar, sqaroi Haziri.
Delegacioni parlamentar i Kosovës njoftoi pjesëmarrësit edhe për qëndrimin në Kosovë të komisionit faktmbledhës të Komisionit Evropian, si dhe për inaugurimin e Këshillit Kombëtar për Integrime Evropiane.
U tha se aktualisht, Kosovën e pret një rrugë e gjatë dhe e mundimshme me reformat të cilave u paraprijnë krijimi i ligjeve, por edhe forcimi i institucioneve që të zbatojnë ligjin.
Kriteret për liberalizim të vizave të cilat ne duhet ti përmbushim janë: siguria e dokumenteve, migracioni dhe menaxhimi i integruar i kufirit., tha Haziri duke sqaruar më tej se këto ditë në Kuvend do të jetë edhe Projektligji për Letërnjoftime Biometrike.
Në këtë samit u diskutua edhe për skepticizmin që ekziston lidhur me zgjerim të BE-së, si dhe për sfidat ekonomike financiare me të cilat përballet BE-ja.
U tha se populli i Kosovës është i diskriminuar dhe i izoluar për shkak të mos heqjes së vizave, megjithatë u potencua fakti se BE-ja ka shënuar lëvizje lidhur me Kosovën.