Delegacioni i LDK-së vazhdon takimet në Berlin
Në Bundestag, kryetari Mustafa, bashkë me znj. Teuta Sahatqija, nënkryetare, z. Ismet Beqiri, Sekretar i Përgjithshëm dhe z. Valon Halimi, Zyrtar ndërlidhës i LDK-së me Partinë Popullore Evropiane (PPE), u pritën nga dr. Andreas Schockenhoff CDU/CSU, dhe z. Stûbgen, kryetar i Grupit punues për Çështje Evropiane të Grupit parlamentar CDU/CSU dhe anëtar i Komitetit për Çështje Evropiane, me të cilët diskutuan për zhvillimet e përgjithshme në Kosovë, angazhimin e LDK-së për dialog dhe vlerësimin e LDK-së që zgjedhjet e sivjetshme nacionale duhet të organizohen mirë, në mënyrë të kenë kredibilitet të plotë.
Delegacioni i LDK-së pati një drekë pune me KAS, ku u diskutua për përgatitjen e të rinjve të LDK-së për pjesëmarrje në politike. Delegacioni takoi zyrtarët e Konrad Adenauer Foundation, përkatësisht me z. Tinko Weibezahl, shef analist për shtetet e Ballkanit, dhe z. Jens Paulus, udhëheqës i Ekipit për Evropën dhe Amerikën Veriore.
Gjithashtu, Kryetari Mustafa u takua edhe me z. Bertil Wenger, Sekretar ndërkombëtar i CDU-së, me të cilin bisedoi për bashkëpunimin e ndërsjellë në mes CDU-së dhe LDK-së.
Kryetari Mustafa e falënderoi z. Wenger për mbështetjen e përhershme që CDU-ja i ka dhënë LDK-së, duke potencuar nevojën dhe mundësitë e thellimit të bashkëpunimit të mëtejmë në mes të dy subjekteve.