Degert: Ndarja e Kosovës nuk është në rend dite të BE-së
Beograd, 12 korrik - Shefi i delegacionit të BE-së në Serbi, Vincent Degert, ka deklaruar në një intervistë për agjencinë FoNet se ndarja e Kosovës nuk është në rend dite të BE-së.
Sipas tij, ekzistojnë shumë mënyra për të zgjidhur këtë çështje. Asnjë vend anëtar i BE-së nuk është për ndarje, sepse ekziston frika se kjo do të kishte efektin domino në rajon dhe në botë. Duhet punuar që të gjendet zgjidhje afatgjatë, e qëndrueshme dhe paqësore, ka thënë Degert.
Sipas fjalëve të tij ekzistojnë shumë ide të cilat mund të diskutohen për të gjetur një zgjidhje të pranueshme, sipas modelit të Gjermanisë, Italisë dhe Austrisë, Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut apo Suedisë e Finlandës. Çdo situatë është e veçantë, ndërsa situata në Serbi është unike. Asgjë nuk mund të kopjohet apo imponohet si ndonjë zgjidhje, tha Degert, duke shtuar se para se gjithash duhet pritur vendimi i GJND-së për këtë çështje.
BE-ja dëshiron që të gjitha palët e interesuara të ulen dhe të bisedojnë, sepse kjo është mënyra e vetme që të gjendet zgjidhja. Ekziston strategjia e BE-së për Kosovën dhe konsensusi i vendeve anëtare për këtë çështje, theksoi përfaqësuesi i BE-së për Serbinë.