24 Dhjetor 2024

DASH, kritika Kosovës ndaj problemit të drogës

Washington, 4 mars - Departamenti i Shtetit publikoi Raportin e tij vjetor mbi Narkotikët dhe Problemin e Trafikut të Drogës në botë.

Në kapitullin për Kosovën, Departamenti i Shtetit e identifikon këtë vend si kryesisht pjesë e trafikut të drogës afgane drejt Evropës, ndërkohë që sinjalet nga autoritetet e rendit brenda vendit flasin për shfaqjen edhe të fenomenti të prodhimit të drogës brenda në Kosovë.

Raporti vë në dukje një numër sfidash me të cilat përballet Kosova në luftën kundër drogës, ndër të cilat kontrolli i dobët i vijës kufitare dhe korrupsioni në radhët e forcave të kontrollit të kufirit dhe doganës.

Ndër pengesat e tjera janë mungesa e resurseve, por edhe fakti që problemi i drogës nuk shihet si një përparësi kryesore në vend. 

Megjithëse qeveria e Kosovës dhe në veçanti Ministria e Brendshme miratuan strategjinë kombëtare anti-drogë në korrik 2009, ende nuk janë akorduar burimet e nevojshme për zbatimin e plotë të strategjisë.

Problemi kryesor në aspektin e drogës mbetet shfrytëzimi i Kosovës si vend tranzit droge për heroinën afgane nga Turqia dhe për kokainën dhe marijuanën nga Shqipëria dhe Mali i Zi për në Evropë.

Droga ri-paketohet në paketa më të vogla në pika të paidentifikuara në Kosovë dhe më pas dërgohet me makina me destinacion qytetet evropiano-perëndimore.

Sipas këshilltarëve të EULEX-it, ka raste kur punonjësit e doganave lejojnë kalimin e autobusëve pa kontroll, biles pa kontrolluar as pasaportat e pasagjerëve.

Raporti nënvizon zërat e shumta që qarkullojnë lidhur me korrupsion në radhët e kontrollit doganor dhe forcave të rendit.

Në aspekte të tjera të problemit të narkotikëve, megjithëse ka pasur kultivim marijuane, këto përpjekje kanë qenë të një shkalle të vogël.

 Ka pasur njoftime për kapjen e sasive të vogla të disa substancave kimike me aftësi narkotike, por nuk janë zbuluar laboratorë prodhimi.

Për sa i përket konsumit të drogës, këto të dhëna mblidhen nga UNICEF dhe organizata joqeveritare Labyrinth, të cilat njoftojë se tregu i brendshëm i konsumit të drogës po rritet me shtimin e përdorimit të drogës në vend.

Sipas këtyre organizatave, konsumi i drogës nga adoleshentët dhe studentët universitarë është i afërt me nivelin e konsumit nga moshatarët e tyre në Evropën Perëndimore.

Nuk ka shifra zyrtare, por sipas UNICEF-it, përdoruesit përllogariten në rreth 20 mijë vetë, ndër të cilët 5000- 6000 janë përdorues që kanë zhvilluar varësi nga droga intra-venoze.

Raporti shprehet me nota kritike lidhur me mungesën e një përparimi domethënës në zbatimin e strategjisë kundër drogës gjatë 2010. Forcat anti-drogë në Kosovë, thekson Departamenti i Shtetit në analizën e tij vjetore, ndeshen me një numër sfidash.

Burimet e tyre janë të kufizuara dhe vetë operacionet e tyre nuk shihen si përparësi për qeverinë e Kosovës.

Statistikat mbi kapjet, arrestime dhe ndjekje penale janë të çrregullta dhe jo të besueshme. Policia e Kosovës thekson mungesën e prokurorëve të specializuar për anti-drogën, gjë që pengon përpjekjet për hetimin e këtyre akteve.

Ndërkohë kanë filluar përpjekjet nga Zyra e Prokurorit për t’iu përgjigjur këtij problemi. Policia e Kosovës përdor një numër mjetesh për të hetuar dhe për të grumbulluar informacion.

Por raporti vë në dukje se karakteri i shoqërisë kosovare, me lidhje të ngushta gjaku e familjare, shpesh i vështirëson hetimet.

Raporti i Departamentit të Shtetit arrin në përfundimin se Kosova po bën përparim në luftën kundër drogës, por mbeten shumë probleme.

 Sipas pohimeve të prokurorëve të EULEX-it në bisedime të zhvilluara me stafin e ambasadës amerikane, disa qeveritarë në Kosovë kanë ndërhyrë në procesin e drejtësisë kundër personave të dyshuar për trafik. Sistemi i drejtësisë është i mbi-ngarkuar dhe i pazhvilluar si duhet.

Po ashtu edhe sistemi i rehabilitimit të përdoruesve të drogës nuk ka financimin e duhur dhe ka pasur ritme të ulëta suksesi.

Një tjetër sfidë për Kosovën është reduktimi i trupave të KFOR-it dhe ndikimi që do të ketë ky fenomen në kontrollin e kufirit.

Ka pasur sukses në programe që po financohen me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara si identifikimi dhe kapja e narkotikëve si dhe në trajnimin e personelit.

Shtetet e Bashkuara vazhdojnë mbështetjen e tyre për forcat e rendit në Kosovë në operacionet për luftën kundër prodhimit, përdorimit dhe trafikimit të drogës.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)