Danimarka përgëzon Kosovën për nënshkrimin e MSA-së

Kopenhagë, 10 dhjetor - - Ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, po zhvillon vizitë zyrtare në Danimarkë. Gjatë kësaj vizite, ministri Çollaku zhvilloi takim me ministrin e Punëve të Jashtme të Danimarkës, Kristian Jensen, i cili rikonfirmoi qëndrimin përkrahës të shtetit të tij ndaj agjendës evropiane të Kosovës, me theks të veçantë ndaj procesit të liberalizimit të vizave për kosovarët.
Gjatë këtij takimi ministri Çollaku, informoi kryediplomatin danez, për punën dhe angazhimin e institucioneve të Kosovës në kuadër të agjendës evropiane, duke u fokusuar në reformat e shumta që janë ndërmarrë në vend, duke përfshirë zhvillimin ekonomik, sundimin e rendit dhe ligjit dhe natyrisht plotësimin e kritereve për liberalizimin e vizave.
Ne kemi plotësuar të gjitha kriteret teknike për liberalizimin e vizave dhe jemi plotësisht të gatshëm për të përmbyllur këtë proces. Tani jemi në pritje të raportit të fundit nga Komisioni Evropian dhe jam i sigurt se do të jetë pozitiv. Një gjë e tillë do të mundësoj ndërmarrjen e veprimeve tjera për tiu mundësuar qytetarëve tanë të lëvizin pa viza në vitin 2016 në shtetet e zonës Schengen , ka thënë ministri Çollaku.
Në takim të dy ministrat diskutuan edhe për zhvillimet politike si dhe marrëdhëniet rajonale në Ballkanin Perëndimor. Të dy bashkëbiseduesit u dakorduan që me fillimin e zbatimit të MSA-së, gradualisht të zhvendoset vëmendja nga asistenca bilaterale drejtë forcimit të marrëdhënieve tregtare dhe sidomos në krijimin e kushteve që investitorët danez të investojnë në Kosovë me theks në fushën e energjisë së ripërtrishme dhe efiçencës.