11 Janar 2025

Daçiq: Sovraniteti i Serbisë në Kosovë gati fare nuk ekziston

Beograd, 12 janar - Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq ka deklaruar sot se Qeveria dhe Presidenti i Serbisë nuk po e propozojnë vetëm tekstin e Rezolutës dhe të Platformës mbi Kosovën, veç po dëshirojnë të gjendet zgjidhje, duke shtuar se “sovraniteti i Serbisë në Kosovë gati fare nuk ekziston”.

Ai ka theksuar se Serbia në negociata do të insistojë në formimin e bashkësisë autonome të komunave serbe në Kosovë dhe se qëllimi i Serbisë është që të ”vihet pika” në zgjidhjen e problemit të Kosovës.

Daçiq ka thënë se në mbledhjen e sotme të Parlamentit, ku po debatohet për Rezolutën dhe Platformën mbi Kosovën, duhet të shikohet realisht situata në “Kosovë e Metohi”, dhe ka vu në dukje se derisa me vite të tëra po debatojmë mbi rezolutat e deklaratat, në Kosovë nga viti 1999 po rrjedh procesi i konsolidimit të pavarësisë, po shtohet trysnia mbi serbët, nuk ka kthim dhe ndriçim të problemit të të zhdukurve.

“Sovraniteti i Serbisë në Kosovë e Metohi gati fare nuk ekziston. Ne sot duhet ta kërkojmë mbështetjen për politikën e cila do ta ndërpres gjumësinë se mjafton të fshihemi prapa rezolutave dhe problemi i Kosovës do të zgjidhet”, ka thënë Daçiq duke iu drejtuar deputetëve në Kuvend. Sepse, ka rikujtuar ai, sot atje situata është e rëndë ku është rrezikuar tërësia tokësore dhe sovraniteti e interesi kombëtar e shtetëror i Serbisë.

“Kosovën po e drejtojnë komandantët e njësive luftarake me të cilët kemi luftuar, e sot me ata po bisedojmë. Ky, fatkeqësisht është realitet”, ka theksuar kryeministri dhe ka shtuar se pyetja është se çka mund të bëhet që ai realitet të ndryshohet.

Kosova nuk është temë e thjeshtë, ka nënvizuar Daçiq dhe ka shtuar:

”Pavarësisht nëse Kosova është në përbërje të Serbisë a jo, edhe gjatë kohës së okupimit turk qëndrimi i popullit serb nuk është ndryshuar ndaj Kosovës. Kosova është ide e mendim pavarësisht kush atje sot e ka sovranitetin. Kosova është arketip serb, tema e lidhur për rrënjët serbe, shpërnguljet por edhe për ndarjet. Në Kosovë situata është jashtëzakonisht e rëndë dhe qëllimi i mbledhjes nuk është diskutimi mbi disa faqe të tekstit të rezolutës veç a kemi mundësi që realisht ta shikojmë situatën në të cilën gjendemi, pozitën e jashtme politike të Serbisë dhe mundësitë për zgjidhje të drejtë”, ka thënë Daçiq.

Nga një qasje e tillë varet nëse do të zhvillojmë një politikë të realizueshme reale apo vetëm do ta nxjerrim edhe një rezolutë, ka përfunduar Daçiq.

/rtk/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)