Daçiq: Plani për zbatim brenda 7-10 ditësh
Beograd, 9 maj - Kryeministri i Serbisë Ivica Daçiq ka shfaqur besimin se plani për zbatimin e marrëveshjes mbi normalizimin e raporteve mes Beogradit dhe Prishtinës do kryhet për 7-10 ditë.
Në një deklaratë për gazetën serbe Veçernje Novosti ai ka thënë se është i sigurt se në gjysmën e dytë të qershorrt do të jetë plotësisht e qartë se Serbia do të nisë bisedimet për anëtarësim në BE.
Ne si shtet e kemi merituar këtë plotësisht. Kemi bërë gjithçka është e mundur dhe që është dashur. Presim vetëm lajme të mira nga Brukseli, ndërsa besoj fuqishëm se Serbia edhe në të ardhmen do të jetë lajm pozitiv në botë, ka thënë Daçiq.
Ai ka thënë se pret që serbët në Kosovës si ata në jug, ashtu edhe në veri, në ditët e ardhshme do ta pranojnë realitetin se marrëveshja e arritur në Bruksel është në interesin më të madh të tyre.