Daçiq: Nuk kemi nevojë ta pyesim Kishën për Kosovën
Beograd, 22 dhjetor - Zëvendëskryeministri i Serbisë dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq ka vlerësuar se ftesa e presidentit të Serbisë, Tomisllav Nikoliq që për përmbajtjen e Kapitullit 35 për Kosovën të pyetet çfarë mendon Kisha Ortodokse Serbe, është plotësisht e papranueshme.
Duke komentuar qëndrimet e presidentit serb për hapjen e kapitujve të parë negociues me BE-në, Daçiq ka thënë se ato negociata i udhëheqë kryeministri Aleksandar Vuçiq dhe se ai shumë herë ka biseduar me përfaqësuesit e Kishës dhe të gjithë faktorët tjerë të shoqërisë.
Kryeministri i Serbisë shumë herë ka biseduar me përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe, por edhe me të gjithë faktorët tjerë të shoqërisë, kështu që mendoj se ftesa që të pyetet Kisha për punë shtetërore është e panevojshme, ka thënë ai.
Presidenti serb të dielën ka thënë se menjëherë pas hapjes së kapitullit për Kosovën duhet të deklarohet Kisha Ortodokse Serbe dhe Akademia e Shkencave dhe Arteve.