Daçiq: Çështja e Kosovës do të zgjidhet gjatë mandatit tim
Beograd, 4 janar - Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq i ka thënë gazetës serbe Blic se gjatë mandatit të tij çështja e Kosovës do të marrë zgjidhje.
Ai ka deklaruar se që nga muaji gusht, qeveria e tij ka punuar në përpilimin e tri dokumenteve: i pari ka qenë Parimet për dialog dhe ai dokument sipas tij, do të miratohet në formë rezolute nga Parlamenti i Serbisë.
Dokumenti i dytë është ai se si do të duket autonomia substanciale për Kosovën, sipas tij, në të cilin ka punuar kabineti i presidentit serb Nikoliq dhe dokumenti i tretë është ai për pozitën ndërkombëtare të Serbisë.
Që nga fillimi, thotë Daçiq marrëveshja ka qenë që vetëm dokumenti për dialog me përfaqësuesit e Kosovës të shkojë në parlamentin e Serbisë për tu miratuar në formë rezolute, ndërkaq dokumenti për autonomi substanciale, siç e quan Daçiq, nuk është paraparë që të miratohet në Parlament.
Sipas tij dokumenti i parë Parimet për dialog, bazohet në disa pika: nuk ka njohje të pavarësisë së Kosovës, vendosjen e fokusit tek bashkësia serbe në Kosovës dhe tendenca për zgjidhje gjithëpërfshirëse të problemit.
Të tria këto, të përcjella me përparim në procesin e integrimeve si dhe me respektimin e marrëveshjeve të arritura.
Sipas tij, rezoluta për parimet e dialogut do të hidhet për votim me 11 janar në Parlamentin e Serbisë.
Ndërkaq, sa i përket dokumentit të përgatitur nga kabineti i presidenti Nikoliq, siç thuhet për autonomi substanciale të Kosovës, në këtë pikë, Qeveria serbe do të jetë e matur dhe do të veprojë hap pas hapi në mënyrë që të mos shkaktojë ndonjë reagim tek pala kosovare, që do të ndërpriste bisedimet.
Kjo ka lënë të kuptohet se Daçic, do të prishte planet e Serbisë për marrjen e datës për fillimin e negociatave për anëtarësim më BE-në që sipas kryeministrit serb pritet të ndodh në muajin mars.