Daçiç serish kërcënon
Prishtinë, 3 qershor - Ivica Daçiç, ministër i punëve të brendshme të Serbisë dhe kryetar i Partisë Socialiste, e cila është forca e tretë politike serbe, ka thënë se Kosovës duhet ti kthehet përgjigje reciproke për çdo veprim të saj.
Duke komentuar ngjarjet në Mitrovicë, Daçiç pas një takimi me presidentin e serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik, në Banjallukë, ka thënë se përgjigja nga Serbia duhet të jetë e fuqishme: Nëse dikush mendon se mund të sulmojë serbët në veri të Kosovës dhe kjo të kalojë pa ndëshkim, atëherë do të thotë se Serbia nuk ka asnjë politikë shtetërore.
Daçiç ka theksuar se ai personalisht pajtohet për demarkacion ose përcaktim të kufijve, por ky nuk është qëndrim shtetëror. Daçiç deklaroi se Serbia nuk ka një politikë të qartë lidhur me Kosovën: Unë pajtohem për një zgjidhje urgjente të problemit të Kosovës pasi kjo është një plagë kancerogjene në këtë pjesë të Ballkanit dhe sa më parë të zgjidhet problemi, mund të vihet pikë në fundin e përleshjeve shekullore.
Politika serbe ka dënuar, siç është thënë, sulmet ndaj serbëve në Kosovë dhe ka bërë thirrje për qetësi dhe stabilitet. Por, gjithnjë për konfliktin fajtorë, sipas tyre, ngelen institucionet e Kosovës.