Daçiç: Serbia mund ta destabilizojë gjithë rajonin
Beograd, 25 dhjetor - Lideri i Partisë Socialiste të Serbisë Ivica Daçiç thotë se vazhdimi i përjashtimit të Serbisë nga procesi i integrimit evropian nuk do të jetë në të mirë të vetë Bashkimit Evropian.
Zv.kryeministri dhe njëkohësisht ministër i brendshëm në qeverinë aktuale shpjegoi se Serbia mund të destabilizojë të gjithë rajonin.
Daçiç theksoi faktin se Serbia nuk mund të heqë dorë nga Kosova pasi e ka të drejtën e saj legjitime për të mbrojtur interesat e veta dhe nuk është produktiv presioni nga jashtë.
Ai tha se disa vende në rajon kanë firmosur marrëveshjet e demarkacionit dhe se nuk e kupton pse Serbia nuk mund ta bëjë këtë ende.
Sipas tij interesat më të mira të Serbisë janë që të ruajë integritetin territorial dhe të kërkojë një zgjidhje mes serbëve dhe shqiptarëve.
Daçiç u shpreh se Serbia nuk mund të fshihet nga harta e Evropës dhe do të ishte në dëm të Bashkimit Evropian izolimi i saj.
Vetëm një Serbi e stabilizuar mund të jetë në interes të Evropës. Serbia është e bindur për vazhdimin e procesit të integrimit evropian por vetëm hap pas hapi e duke mbrojtur interesat kombëtare, tha Daçiç.