Daçiç: Refuzova planin e Brukselit për veriun
Beograd, 9 mars - Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç ka thënë se në takimin e kreut shtetëror serb të hënën në Bruksel me zyrtarët e BE-së nuk pret se do të bëhet presion mbi ta.
Ai pret që të qartësohet nëse është e mundur të gjendet një zgjidhje për veriun e Kosovës.
Ai ka thënë se në takimin e parafundit të dialogut që po zhvillohet në Bruksel me kryeministrin e Kosovës, kishte refuzuar të nënshkruante një dokument me parimet e përgjithshme për veriun e Kosovës.
Në një intervistë për gazetën beogradase Blic, Daçiç ka thënë se në takimin e parafundit ka pasur një propozim që të arrihet marrëveshja për disa parime të përgjithshme lidhur me veriun e Kosovës, por të cilat, sipas tij nuk parashikonte pushtet ekzekutiv për serbët në veri.