Daciç: Nuk mund të shmanget çështja e statusit

Beograd, 21 nëntor - Çështja e statusit të Kosovës nuk mund të shmanget më, sepse gjithnjë e më shpesh do të jetë si një nga kushtet e Serbisë për integrimet evropiane- ka deklaruar zëvendëskryeministri serb, Ivica Daciç.
Në prag të vazhdimit të bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel, Dacic ka theksuar se është në interes të Serbisë që kriza në Kosovë të zgjidhet sa më shpejtë dhe të kapërcehen të gjitha çështjet e kontestueshme në nivel teknik.
Siç transmeton B92, ai ka theksuar se Beogradi për të arritur marrëveshje me Prishtinën që është në përputhje me Kushtetutën e Serbisë, duhet të theksojë se: Serbia nuk mund ta pranojë pavarësinë e Kosovës as në mënyrë të direkte, e as indirekte dhe se ka të drejtë të shfaqë interesin e vet shtetëror dhe kombëtar.
Dacic ka thënë se akoma mbetet si çështje thelbësore statusi i Kosovës, që, sipas tij, nuk mund të shmanget më në planin e politikës së jashtme, sepse dita ditës gjithnjë e më shumë do të vihet si një nga kushtet për integrimet evropiane të Serbisë.
Duke thënë se Serbia duhet ti pranojë të gjitha zgjidhjet praktike, Dacic ka shtuar se mbështet qëndrimin e serbëve nga veriu i Kosovës që nuk duan të jetojnë në Kosovën e pavarur.