Daçiç: Kushdo që rrezikon rendin, do të arrestohet
Beograd, 29 mars - Ministri serb i punëve të brendshme, Ivica Daçiç, ka thënë sot në Beograd se kushdo që rrezikon rendin kushtetues të Serbisë në periudhën e ardhshme do të arrestohet, ndërsa nuk do të lirohen serbët e arrestuar në Kosovë.
Në një prononcim për mediat, Daçiç ka thënë se në Kosovë arrestohen serbë, të cilët rrezikojnë të ashtuquajturin rend juridik
\"Mendoni sa njerëz në Kosovë rrënojnë rendin kushtetues të Serbi, sepse pjesëmarrja në institucionet e atjeshme, të cilat Beogradi nuk i pranon, është shkelje e rendit tonë juridik. Sa janë të atillë që do të mund të gjendeshin në shënjestër të policisë sonë kur kalojnë Serbinë qendrore, ka thënë Daçiç.
Për dy shqiptarët e arrestuar ditën e mërkurë, ministri serb ka thënë se arrestimet nuk kanë ndodhur si masë reciproke dhe ato nuk kanë qenë arrestime politike, por ato janë kryer në bazë të fletarresteve të lëshuara kohë më parë.
Autoritetet serbe të rendit kanë arrestuar Hasan Abazin, kryetarin e sindikatës së industralistëve të Kosovës dhe Adem Murselin, nën dyshimet për spiunazh dhe tregëti me drogë, bazuar në fletarrestet e gjykatës së qarkut në Gjilan dhe drejtorisë së policisë serbe në Beograd.
Në Kosovë ndërkaq, të martën, në pikëkalimin Dheu i Bardhë, Policia e Kosovës kishte arrestuar katër serbë, nën dyshimet se kanë shkelur rendin juridik të Kosovës. Tek të arrestuarit, në mesin e të cilëve janë edhe punonjës të strukturave paralele serbe në Viti, autoritetet e rendit kanë gjetur material zgjedhor të Serbisë.