Daçiç kërcënon kryeministrin e Kosovës Thaçi
Beograd, 27 tetor - Ministri i brendshëm serb Ivica Daqiç ka kërcënuar institucionet kosovare për çështjen e veriut të Kosovës.
\"Është koha të thuhet qartë, se veriu dhe serbët do të mbrohen me të gjitha forcat. Të thuhet se ajo pjesë duhet të shkëputet. Nëse thoni se ne duhet të rrimë të qetë para asaj çfarë bëjnë shqiptarët, ky është një mesazh. Kryeministri Hashim Thaçi duhet ta dijë se sulmi i armatosur ndaj serbëve nuk do të kaloj pa përgjigje. Nuk po e kërcënoj askënd, por po e them qartë se Serbia do ti mbroj njerëzit e saj në Kosovë\" ka thënë Daçiç.
Në një intervistë për gazetën Vecernje Novosti, ai ka thënë se situata në Kosovë po ashpërsohet në kornizën kohore e cila është shumë e pafavorshme për Serbinë, posaçërisht në kuptimin e pritjes së vendimit për kandidaturë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Ai ka theksuar se kancelarja gjermane, Angela Merkel, gjatë vizitës së saj në Beograd në muajin gusht, hapur ka thënë se kushti për vazhdimin e procesit të integrimeve në BE për Serbinë është zhbërja e institucioneve serbe në veri të Kosovës.
Daciç ka thënë se edhe Merkel e ka përmendur mundësinë që Kosova të shndërrohet në federatë. Pse Kosova të mos jetë edhe federatë, ka pyetur kancelarja gjermane, sipas pohimeve të Ivica Daciçit. Edhe pse thotë se angazhohet për anëtarësim në BE, Daciç ka thënë se nuk do të jetë fundi i botës nëse Serbia në dhjetor nuk e merr statusin e kandidatit.
Duke folur për barrikadat në veri të Kosovës, ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë ka thënë se ato janë protesta kundër përpjekjes për të vendosur kufirin shtetëror në veri të Kosovës. Do të doja që të mos kishte arsye që këto të ndodhin, por më mirë barrikadat se sa pushkët. Kur e përmend Stuhinë në mendje e kam ndonjë sulm masiv që do të thoshte dëbim ndaj serbëve. Kam frikë nga një rezultat i tillë, tha Daciç.