Daçiç: Jam kritikuar për qëndrimet e mia mbi Kosovën
Beograd, 16 qershor - Ministri serb i punëve të brendshme, Ivica Daçiç, ka deklaruar se u është nënshtruar presioneve të shumëanshme për shkak të qëndrimit për ripërcaktimin e kufijve me Kosovën.
"Në javët e kaluara, u jam nënshtruar kritikave të politikanëve, liderëve nacionalistë dhe liderëve partiakë, për faktin se kam përmendur ripërcaktimin e kufijve. Njëkohësisht, i jam nënshtruar edhe trysnisë së përfaqësuesve të komunitetit ndërkombëtar, të cilët kanë vlerësuar se me këtë qëndrim, po cënoj tërësinë territoriale të Kosovës, ka thënë Daçiç në seancën e Kuvendit të Serbisë.
Ai pohon se Serbia duhet t`i afrohet me pragmatizëm zgjidhjes së problemit të Kosovës.
Edhe unë mendoj se Kosova është pjesë përbërëse e Serbisë, por kemi një situatë, ku në njërën anë gjendet sistemi ligjor vendas dhe në anën tjetër, fuqitë më të mëdha botërore. Nuk besoj se mundësitë në rrafshin ndërkombëtar do të jenë ndryshe në disa dekadat e ardhshme dhe se pozicioni ynë mund të jetë më i mirë, ka thënë Daçiç.