Cramon i kërkon Serbisë t’i lirojë sa më shpejt policët e arrestuar të Kosovës
Bruksel, 15 qershor - Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka thënë të enjten se Serbia, si vend që synon të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian, duhet të zbatojë sundimin e ligjit, të respektojë ligjin ndërkombëtar dhe t’i lirojë sa më shpejt policët e arrestuar të Kosovës.
Përmes një postimi në Twitter, von Cramon ka thënë se protestat kombëtare që po zhvillohen në Beograd ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duket se janë arsyeja kryesore mbrapa veprimit "të tepruar dhe të papërshtatshëm" ndaj zyrtarëve kufitarë të Kosovës.
“Çfarë bëjnë autokratët kur janë nën presion të brendshëm? Ata analizojnë rrugë për ta larguar vëmendjen prej problemeve të brendshme. Një shembull klasik duket se është incidenti i djeshëm në zonën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë”.