26 Dhjetor 2024

Countryman: Krasniqi duhet t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese

Washington, 16 korrik - Zëvendës ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Thomas Countryman, i ka bërë thirrje Kryetarit të Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi që Parlamenti t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për opinion lidhur me imunitetin e deputetëve.

Countryman ka thënë se debati rreth imunitetit ka të bëjë me atë nëse Kosova dëshiron të jetë një shtet ku sundon ligji apo ku sundon politika. Zyrtari i lartë amerikan në një intervistë për Zërin e Amerikës, ka folur edhe për rolin e ambasadorit amerikan në Kosovë, Christopher Dell.
  
“Gjëja më me fat në historinë e Shteteve të Bashkuara është se, kur ishim një republikë e re, kur sa kishim fituar pavarësinë, ne patëm një brez politikanësh që mendonin se kushtetuta dhe respektimi i ligjit ishin më të rëndësishme se politika. Që nga ajo kohë, kjo ka qenë në themel të stabilitetit tonë”.

“Pyetja që ju shtroni nuk ka të bëjë vetëm me paqartësinë ose shmangien e përgjegjësive, por është një çështje po aq e rëndësishme për të ardhmen e Kosovës sa atëherë, kur Shtetet e Bashkuara ishin një vend i ri. Ashtu siç u shpreh edhe ambasadori Dell në intervistën për Zërin e Amerikës, kjo ka të bëjë me atë nëse Kosova dëshiron të jetë një shtet ku sundon ligji apo ku sundon politika”.

“Dallimi është thelbësor. Ajo që presim të shohim sot, janë udhëheqës që vihen në krye, të cilët marrin përgjegjësi për institucionet që drejtojnë dhe për rendin kushtetues të vendit. Kjo është ajo që ne presim nga Kryetari i Parlamentit, zoti Krasniqi, as më pak e as më shumë. Pra, se është koha të tregohet që Kosova është e aftë të ketë të njëjtat standarde të sundimit të ligjit për të gjithë qytetarët e saj, përfshirë anëtarët e parlamentit”, ka thënë Countryman.

“Gjykata Kushtetuese duhet të japë opinionin e saj, për të sqaruar disa nga paqartësitë që përmendni ju, por Gjykata nuk mund ta kryejë detyrën e saj nëse parlamenti, dhe konkretisht kryetari i tij, nuk janë të gatshëm të kryejnë detyrën. Nëse nuk e bëjnë këtë, nëse bien pre e tundimit për të mos bërë asgjë dhe për t’u mbrojtur pas imunitetit parlamentar, kjo nuk do t’i shërbente sundimit të drejtësisë në Kosovë. Kjo do të dëmtonte emrin e Kosovës jo vetëm në Bruksel, por edhe këtu në Uashington. Pra është koha që të mos drejtohet gishti tek tjetri për përgjegjësinë, por që parlamenti të mbajë përgjegjësi për vendimet e veta”.

I pyetur nëse duhet pritur që rekomandimin ta bëjë parlamenti dhe jo qeveria, siç thotë zoti Krasniqi, Countryman ka thënë se Kushtetuta e Kosovës, ashtu si ajo e Shteteve të Bashkuara dhe si shumë të tjera në Evropë, parashikon ndarjen e pushteteve, mes ekzekutivit, legjislativit dhe gjyqësorit. “Që dega ekzekutive të kërkojë opinion për imunitetin e legjislativit, kjo e dëmton parimin e ndarjes së pushteteve. Së dyti, çdo institucion duhet të jetë përgjegjës për veten e tij. Nuk ka dyshim se kjo është një çështje shumë serioze”.

“Ajo që duhet të sqarohet është se sa i gjerë është imuniteti që ofron Kushtetuta për anëtarët e parlamentit. Nëse anëtarët e parlamentit, nuk janë në gjendje të marrim përgjegjësi për veten e tyre, dhe, në bazë të kushtetutës, të kërkojnë mendimin e Gjykatës Kushtetuese, kjo do të ishte një ditë shumë e keqe dhe një precedent shumë i keq për atë që ne presim nga udhëheqësit politikë. Kryetari i parlamentit duhet të marrë një vendim, ashtu siç morën politikanët në historinë e Amerikës, nëse dëshiron të veprojë si një politikan tipik ballkanas, apo dëshiron të kujtohet në histori si një politikan që, në një moment jetik të historisë së një vendi të ri, u tregua i vendosur”.

I pyetur për angazhimin e shtuar të ambasadorit Dell dhe kritikave të disave rreth veprimatrisë së tij, Countryman ka thënë se edhe ata që e kritikojnë duke thënë se ai është shumë aktiv, kërkojnë ndihmën e tij. Ne nuk ndihemi të turpëruar nga fakti që gëzojmë një besueshmëri të madhe në Kosovë, që banorët dhe politikanët e të gjithë spektrit politik, na besojnë si një palë që vepron në të mirë të Kosovës dhe jo si një palë që vepron në të mirë të këtij apo atij politikani, për këtë apo atë parti. Ky është roli që luajnë Shtetet e Bashkuara në Kosovë. Dhe amabasadori Dell e bën këtë punë jashtëzakonisht mirë. Ai gëzon besimin e plotë të Uashingtonit në këtë drejtim”.

“Pa dyshim është e vërtetë se me pjekurinë e demokracisë në Kosovë, do të ishte plotësisht e drejtë që roli i Shteteve të Bashkuara të ishte më shumë ai i një partneri dhe më pak ai i një këshilltari, ose i një ‘vëllai të madh’, në se mund të shprehem kështu, çka nuk ka qenë kurrë synimi ynë. Dhe Kosova do të arrijë në këtë pikë."

"Një nga gjërat më të rëndësishme që mund të bëjë Kosova, qeveria, publiku dhe shtypi, është të çojë përpara marrëdhëniet me Bashkimin Evropian. Ne do të donim të shihnim që Bashkimi Evropian të gëzonte të njëjtin respekt në Kosovë që kanë Shtetet e Bashkuara. Kjo do të ishte rruga e Kosovës drejt pjekurisë së plotë të demokracisë së saj”.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)