Cooper u dorëzon dokumentin e marrëveshjes palëve në bisedime
Prishtinë, 6 korrik - Dokumenti me tri marrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë u është dërguar palëve nga Robert Cooper i cili ndërmjetëson në emër të BE-së në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit
Këshilltari i zëvendëskryeministres, Edita Tahiri, Visar Xani i konfirmoi Radio Kosovës se kanë pranuar dokumentin, por tha se ende nuk është vendosur se si do të procedohet më tutje.
Ndryshe detaje të dokumentit, të cilin lehtësuesi i dialogut Robert Cooper e quan Konkluzionet e Kryesuesit, i ka publikuar Gazeta Ekxpress. Sipas gazetës, për Lëvizjen e Lirë, në dokumet thuhet se qytetarët e të dyjave palëve duhet të kenë mundësi të udhëtojnë lirshëm brenda ose përmes territorit të njëra-tjetrës me letërnjoftime, ndërsa në referimin për qytetarë në dokument, përdoret fjala angleze residents, që e ka kuptimin banorë me vendbanim të përhershëm, kurse për kufirin, krahas fjalës kufi, përdoret edhe shprehja kufi administrativ.
Më tutje sqarohet se palët mund të zbatojnë një sistem ku letërnjoftimet shoqërohen nga dokumente me shkrim për hyrje-dalje, që do të shkruhet në gjuhë neutrale. Gjithashtu, nëse Serbia aplikon dokumente përcjellëse për letërnjoftime dhe pasaporta kosovare, këtë mund ta aplikojë edhe Kosova për qytetarët serb.
Për sa i takon targave të automjeteve, në dokument thuhet se targat KS mund të kalojn.ë nëpër Serbi por nuk thuhet se targat RKS duhet të mbulohen me targa të përkohshme. Megjithëkëtë Serbia ka paralajmëruar moslejimin targave RKS prandaj edhe Kosova mund të përdorë masë reciproke.
Drejtuesit e makinave duhet të blejnë polica sigurimi për automjete në pikat kufitare derisa të arrihet marrëveshje për njohje reciproke të policave të sigurimit. Qeveria e Kosovës do të vazhdojë vlefshmërinë e targave KS për një periudhë fillestare prej pesë vitesh, ndërsa nga 1 nëntori në Kosovë mund vetëm targat RKS dhe KS kurse targat e vjetra dhe të reja serbe për qytetet e Kosovës nuk do të lejohen.
Ekspress më tej thotë se dokumenti siguron që qytetarët e Kosovës që refuzohen nga shtetet që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, riatdhesohen në Kosovë. Palët janë dakorduar për pranimin e diplomave universitare dhe shkollore përmes certifikimit të tyre nga një palë e tretë, por marrëveshja përfundimtare pritet të arrihet në takimin e radhës në Bruksel.
Për regjistrat civil thuhet se do të formohet një komitet i përbashkët i kryesuar nga EULEX-i që do ti certifikoj të gjitha kopjet e librave amzë në Kosovë.
/rtk/