Cooper: S`ka datë për bisedimet

Bruksel, 24 tetor - Ndërmjetësi i Bashkimit Europian në bisedimet Kosovë - Serbi, Robert Cooper ka deklaruar se ende nuk ka një datë për rifillimin e dialogut.
Stafi i tij, vazhdon të ushtrojë trysni mbi delegacionin serb që të kthehet në Bruksel, por ende nuk ka ndonjë rezultat.
Cooper vazhdon të punojë për rikthimin e palëve në tryezën e bisedimeve, të cilat u ndërprenë kur delegacioni serb insistoi që të diskutohet për çështjen e dy pikave doganore në veri të Kosovës.
Këto pohime vijnë një ditë pasi Zv.kryeministrja dhe njëherësh edhe kryenegociatorja në bisedimet Edita Tahiri, tha se delegacionet mund të takohen në javën e dytë të nëntorit.
Ne kemi kërkuar datën 20 nëntor, si afat të fundit që të hartohen të gjitha planet për zbatim për ato katër marrëveshje, sepse marrëveshja për tregtinë e lirë tashmë po zbatohet nga të dyja palët. Pasi që të hartohen planet për implementim, duhet të fillojë menjëherë edhe zbatimi i marrëveshjeve, ka thënë ajo.
Ndërsa kryenegociatori serb Borko Stefanoviç ka thënë se dialogu do të rifillojë kur të gjendet zgjidhja për veriun e Kosovës.