Cooper planifikon të tërhiqet nga dialogu mes Kosovës dhe Serbisë
Bruksel, 4 qershor - Ndërmjetësi i BE-së në dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit, Robert Cooper planifikon të tërhiqet nga ky funksion në fillim të muajit të ardhshëm, citon agjencia shtetërore serbe Tanjug burime të saj diplomatike në Bruksel.
Një diplomat i lartë evropian, i cili ka insistuar të mbetet anonim, citohet t`i ketë thënë Tanjugut se Cooper e ka ndërmend të japë dorëheqjen nga funksioni i ndërmjetësit në dialog më 1 korrik, për tu përqendruar në Myanmar, ku është duke u zhvilluar tranzicioni demokratik.
Cooper është një lidhje të gjatë miqësie me Aung San Suu Kyi, lidere e opozitës në Myanmar (Birmani), e cila së fundmi u lirua nga arresti shtëpiak dhe u zgjodh deputete në parlamentin e atjeshëm.
Maja Kocijancic, zëdhënëse e shefes së diplomacisë evropiane, Catherin Ashton, ka hedhur psohtë informacionin lidhur me tërheqjen e Cooper, duke thënë se ky informacion nuk është i vërtetë\".
\"Cooper ende është ndërmjetësi i dialogut dhe është i përqendruar në atë që mbetet për t`u bërë\", ka thënë Kocijancic për Tanjug, pa zbuluar detaje të tjera.
Mirëpo, sipas kësaj agjencie, edhe dy burime të tjera nga institucionet evropiane, të pavarura nga njëri-tjetri, kanë konfirmuar se informacioni, që Cooper planifikon të tërhiqet, është i vërtetë.
Këto burime thonë se Cooper do të mund të ndryshojë mendjen nëse Ashton insiston që ai të qëndrojë në atë funksion, por se ende është duke u pritur që të shihet se si do të ndikojë zgjedhja e Tomislav Nikolicit në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit.
Ndërsa, Cooper në gusht mbush 65 vjeç, që, sipas rregullave të BE-së, është kufiri i moshës për funksionarët e BE-së, por në raste të jashtëzakonshme është e lejuar që të qëndrojnë në funksion edhe pas kësaj moshe. Mirëpo, deri tani nuk është vendosur nëse do të mbetet kështu në rastin e Cooperit.